Takim koordinues për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet UFAGJ dhe Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”

Takim koordinues për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet UFAGJ dhe Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”

Gjakovë, 18.12.2025

Në ambientet e Rektoratit të Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, u mbajt një takim koordinues ndërmjet Rektorit të Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, dhe Kryetarit të Shoqata e Intelektualëve Jakova, Prof. Dr. Ruzhdi Sefa.

Në takim morën pjesë eksperti i sigurisë kibernetike, MSc. Yll Ferizi, Drejtoresha e Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie, Prof. Dr. Sindorela Doli, si dhe U.D. Sekretarja e Përgjithshme e UFAGJ-së, Znj. Nita Pruthi.

Qëllimi i takimit ishte koordinimi për planifikimin e angazhimeve të përbashkëta dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”. Gjatë takimit, përfaqësuesit e UFAGJ-së u informuan nga afër lidhur me aktivitetet e shumta të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, e cila, pavarësisht një buxheti minimal simbolik, ka qenë promotore e një numri të madh iniciativash falë vullnetit dhe përkushtimit të pakursyer të Kryesisë dhe anëtarëve të saj.

Rektori Bunjaku i informoi të pranishmit lidhur me progresin e arritur nga UFAGJ gjatë vitit 2025, duke veçuar themelimin e njësisë së re akademike – Fakultetin e Shkencave Aplikative, si dhe zhvillimin e programit të studimit Informatikë Inxhinierike, përfshirë edhe perspektivën e zhvillimit të mëtejmë të universitetit.

Duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe rritjen e rreziqeve nga sulmet kibernetike, gjatë takimit u theksua nevoja për vetëdijësimin dhe trajnimin e stafit akademik dhe administrativ, dhe studentët lidhur me nevojën për shkathtësi praktike për mbrojtje nga rreziqet potenciale të sigurisë kibernetike.

Si rezultat konkret i këtij takimi koordinues, palët u dakorduan për organizimin e një sërë ligjëratash trajnuese dhe vetëdijësuese me fokus në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e rreziqeve gjatë prezencës digjitale në arsimin e lartë. Në këtë kuadër, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” do të mbështesë UFAGJ-në, përkatësisht Qendrën Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie, përmes ekspertizës së anëtarit të saj, MSc. Yll Ferizi, duke kontribuar në realizimin e aktiviteteve të dedikuara për stafin akademik dhe administrativ, si dhe për studentët e universitetit.

Me këtë rast, Rektori Bunjaku falënderoi Kryetarin dhe përfaqësuesit e Shoqatës për gatishmërinë e treguar për bashkëpunim, duke shprehur njëkohësisht vullnetin që aktivitetet e përbashkëta të thellohen edhe më tej.

Fotot e lajmit

tp-bottom