FJALA HYRËSE E REKTORIT

Të nderuar vizitorë të ueb faqes së Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Ndarja e kohës për të klikuar në ueb faqen e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë mund të pasqyrojë informacione të reja mbi numrin e studentëve, aktivitetet e studentëve, profilin e profesorëve, asistentëve, administratës, pastaj për fakultetet, programet, projektet dhe bashkëpunimin vendor e ndërkombëtar, si dhe shumë informata të nevojshme, të cilat mund të jenë të mirëseardhura. Përmes informatave të tilla, ne eksplorojmë edhe profilin e universitetit, kemi njohuri rreth programeve që ofron, të cilat përkojnë në  orientimin e së ardhmes, në zhvillimin e karrierës akademike dhe orientimin drejt tregut të punës, në favor të rritjes së numrit të partnerëve, duke iu bashkuar rrjetit të edukimit të lartë evropian.

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” si tempull i dijes, është një mundësi e mirë për të gjithë studentët që dëshirojnë të studiojnë dhe të jenë pjesë e tij. Në këtë tempull të dijes, synohet që të kultivohet mendja e hapur e studentëve, të zhvillohet mendimi kritik, të shkëmbehen përvojat e ndryshme vendore me ato ndërkombëtare dhe orientimi drejt inovacionit dhe ekselencës në kërkimin shkencor dhe krijimtarisë artistike.

Kjo qasje, reflekton në vëmendjen më të madhe të studentëve, komunitetit dhe vetë shoqërisë, duke kontribuar në zhvillimin e vendit, përmirësimin e mirëqenies sociale, zhvillimin social dhe ekonomik, si dhe duke nxitur një konkurrencë të mirëfilltë mbi bazën e meritokracisë.

Në kuadër të universiteteve rajonale të Kosovës,  ne jemi universitet i ri, por kemi qëllime dhe synime të qarta, që përmes politikave strategjike, të ofrojmë mundësi të barabarta për të gjithë studentët që dëshirojnë të jenë pjesë e fakulteteve, përkatësisht programeve që ne ofrojmë. Kjo me qëllim që nesër studentët me arritjet e tyre, përvojën e fituar, të jenë të përmbushur me dije dhe të arritura shkencore si dhe të jenë konkurrues të denjë me studentët e tjerë në vend, rajon dhe më gjerë.

Ne jemi në dijeni që shoqëria kosovare përballet me shumë sfida dhe probleme, të cilat janë edhe si pasojë e tranzicionit, e kjo ka bërë që të ketë një shkëputje në mes të profileve të edukimit dhe nevojave të tregut. Por, gjithsesi, së bashku me profesorët, asistentët, bashkëpunëtorët, administratën dhe institucionet vendore e ndërkombëtare, synojmë që t’u ofrojmë mundësi të rinjve dhe të rejave që të kenë profile adekuate komfor nevojave të tregut në vend dhe në tregjet globale.

Ne si shoqëri dhe si shtet synojmë që të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe strukturave tjera ndërkombëtare, kjo normalisht që kërkon kohë, angazhim, mund dhe sakrificë sublime nga të gjithë ne. Kjo arrihet përmes angazhimit, përkushtimit, bashkëpunimit, hulumtimeve shkencore, shkëmbimit të përvojave, integritetit akademik dhe etikes profesionale.  

Qyteti i Gjakovës ka qenë dhe është vatër e dijes, intelektualizmit, artit, kulturës, traditës, si dhe vlerave sublime e trashëgimore, duke e shndërruar qytetin e Gjakovës në hartën e Universiteteve me vlera të larta kulturore dhe sociale, që janë në sinkron edhe me emrin e Universiteti tonë. 

Është nder dhe privilegj për secilin nga ne që të jemi pjesë e këtij universiteti të ri, por me ideale, vlera dhe synime të larta. Ne synojmë një komunikim konstruktiv brenda dhe jashtë universitetit, mundësi të reja për studentët tanë, kultivim të dijes, mundësi për projekte dhe laboratorë, si dhe profile të reja në varësi të nevojave të tregut.

Bashkëpunimi brenda dhe jashtë universitetit është gjithashtu vlerë që e karakterizon universitetin tonë. Struktura akademike dhe ajo e studentëve, e cila njëherë është strukturë multi-kulturore, e pasuron edhe më tej mozaikun e vlerave dhe të trashëgimisë që kemi si shoqëri dhe si shtet. Ndaj, për ne është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me të gjitha strukturat shoqërore dhe krijimi i programeve të reja, përmes së cilave studentët do të kenë më shumë zgjedhje.

Përmes objektivave të tilla, ne synojmë një shoqëri stabile, me parime demokratike, me vlera dhe me një arkitekturë të pasur në sfondin e dijes dhe të penës.


Me respekt,

Prof. Ass. Dr. Zeqir Hashani

U.D. Rektor i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë

tp-bottom