Biblioteka e Fakultetit të Filologjisë është pasuruar me rreth 450 tituj të rinj librash

Biblioteka e Fakultetit të Filologjisë është pasuruar me rreth 450 tituj të rinj librash

Në kuadër të planifikimit për pasurimin e bibliotekave të fakulteteve të Universitetit "Fehmi Agani", gjatë këtij muaji biblioteka e Fakultetit të Filologjisë është pasuruar me rreth 450 tituj të rinj librash. Librat e blerë janë pjesë e literaturës bazë dhe literaturës shtesë të silabuseve nga programet aktuale: gjuhë shqipe dhe letërsi dhe gjuhë angleze-përkthim dhe interpretim.

Librat nga fusha e teorive letrare, historia e letërsisë dhe kritika letrare u ofrohen studentëve për të fituar njohuri të reja rreth lëndës së teorisë së letërsisë, kritikës dhe fushave të tjera të dijes që lidhen me studimet teorike letrare si një nga fushat më të rëndësishme për studimin e letërsisë.

Librat për letërsinë e sotme shqipe, letërsinë moderne dhe letërsinë e romantizmit, të cilët tashmë janë në raftet e bibliotekës, u mundësojnë studentëve aktualë dhe të rinj të rrisin njohuritë e tyre për veprat emblematike dhe autorët e letërsisë shqipe, si dhe të krijojnë një pasqyrë të zhvillimit të saj historik. Gjithashtu, përmes literaturës së re, studentët mund të bëjnë kërkime për zhvillimin e poezisë, prozës, dramës dhe kritikës letrare shqipe.

Librat e letërsisë botërore përfshijnë shumicën e titujve bazë së kurseve të letërsisë botërore që trajtojnë veprat letrare sipas rendit historik nga shekulli i XIV-të deri në shekullin e XX-të.

Përveç librave nga letërsia, biblioteka tashmë është pasuruar me tituj librash nga literatura bazë e lëndëve gjuhësore, për t'i ndihmuar studentët të forcojnë kompetencat e shqipes standarde, për të fituar njohuri lidhur me sistemin leksikor të gjuhës shqipe, si dhe për t`i ndihmuar ata të zhvillojnë lexim dhe mendimin kritik të literaturës.

Fotot e lajmit

tp-bottom