Hulumtimet

Në UGJFA, komponentës së hulumtimit i kushtohet një vëmendje e veçantë, posaçërisht nga menaxhmenti i ri i Universitetit. Hulumtimi është paraparë tek top prioritetet e Institucionit. Për këtë qëllim, Universiteti i Gjakovës “FEHMI AGANI” ka hartuar një plan konkret për hulumtim që i përmbush kërkesat e angazhimit dhe të kontributit të stafit akademik dhe studentëve, duke qenë pjesë shumë e rëndësishme e një sërë projekteve ndërkombëtare. Plani është hartuar në mënyrë të tillë që të gjithë anëtarët e stafit mësimdhënës të kenë mundësi për të kontribuar edhe në diskutimin dhe planifikimin e hulumtimit në institucion. 

Sipas Rregullores për kërkime shkencore të aprovuar nga Senati i Universitetit parashihet zhvillimi i aktiviteteve hulumtuese themelore, të avancuara dhe aplikative në fushat e shkencave që UGJFA organizon studime, me qëllim identifikimin e nevojave të tyre për profile specifike të kuadrove, organizimin e konferencave shkencore vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, zhvillimin e hulumtimit shkencor dhe bashkëpunimin me institucionet tjera hulumtuese në vend dhe jashtë vendit. 

Po ashtu, institucioni ka hartuar politika dhe masa nxitëse që synojnë rritjen e konkurrencës, vizibilitetit ndërkombëtar dhe avancimit të punës kërkimore-shkencore.  

Veprimtaria kërkimore- shkencore financohet nga buxheti i UGJFA, MASHT dhe partnerë dhe donatorë të jashtëm bashkëpjesëmarrës në projektet e përbashkëta.

Me buxhetin për kërkime dhe hulumtime shkencore mbulohen:

- Projektet hulumtuese të fakulteteve;

- Pjesëmarrja në konferenca shkencore ndërkombëtare;

- Botimi i punimeve shkencore në revista shkencore ndërkombëtare;

- Shpenzimet për bashkëfinancim- pjesëmarrje në projekte hulumtuese rajonale dhe ndërkombëtare;

Lartësia e mjeteve financiare për veprimtari kërkimore-shkencore caktohet me buxhetin e UGJFA, të miratuar nga Këshilli Drejtues.

Botimi në revista shkencore ndërkombëtare financohet nga UGJFA-ja, pas aprovimit paraprak nga Komisioni për kërkime shkencore sipas këtij kategorizimi:

1. Botimi në Revistat ndërkombëtare të Indeksuara sipas UA të MASHT nr. 01-2018 të datës 19.01.2018, neni 3, paragrafi 1.1 dhe 1.2 saktësisht në: WEB OF SCIENCE dhe SCOPUS  stimulohen më 1000.00€ (njëmijë €) për punim

2. Botimi në Revistat dhe Platforamt e indeksuara sipas UA të MASHT nr. 01-2018 të datës 19.01.2018 neni 3, paragrafi 1.3 dhe 1.4 dhe 1.5 saktësisht në EBSCO, WORLD CAT dhe DOAJ stimulohen më 500€ (pesëqind €) për punim.  

UGJFA ka miratuar Rregullore me listë prej platformave elektronike dhe platforma të propozuara nga Njësitë akademike të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, ku stafi akademik mund të botojë punimet dhe publikimet shkencore në revista shkencore që janë të indeksuara në platformat elektronike sipas UA-së dhe Rekomandimit te Senatit dhe sipas kritereve të revistave shkencore. Këto kritere respektohen edhe për procedurat e zgjedhjes, emërimit, riemërimit- avancimit te personelit akademik. 

Menaxhmenti i ri i UGJFA, ka vendos si prioritet partneritetin në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projekteve të përbashkëta në sferën e kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore. Aktualisht UGJFA është partner serioz dhe kredibil në projektet ERASMUS+ që kemi në implementim. 

tp-bottom