Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë zhvillon takim punues për Planifikimet Buxhetore dhe Zhvillimin Akademik 2026–2030
Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për fuqizimin e qëndrueshmërisë financiare dhe ngritjen e cilësisë akademike, në Universitetin "Fehmi Agani" në Gjakovë u mbajt një takim i rëndësishëm punues i fokusuar në planifikimet buxhetore strategjike.
Në këtë takim morën pjesë dekanët e njësive akademike dhe zyra e financave të Universitetit.
Takimi u zhvillua në formë hibride, duke ndërthurur pjesëmarrjen fizike me atë online. Ky takim mundësoi përfshirjen e të gjithë akterëve kyç për zhvillimin e një dialogu dinamik e gjithëpërfshirës Institucional.
Në qendër të diskutimeve ishte analiza e detajuar e buxhetimit për programet aktuale të studimit, me synim optimizimin e burimeve ekzistuese dhe përmirësimin e kushteve mësimore e hulumtuese. Gjithashtu, vëmendje e veçantë iu përkushtua planifikimit financiar për programet e reja që pritet të aplikohen gjatë periudhës pesëvjeçare 2026–2030.
Diskutimet mbuluan nevojat prioritare si në nivel të Rektoratit, ashtu edhe në të gjitha njësitë akademike, duke siguruar që çdo iniciativë e re akademike të mbështetet nga një bazë e qëndrueshme financiare.
Përmes këtij procesi të planifikuar strategjik, Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë rikonfirmon përkushtimin e tij për të garantuar transparencë, menaxhim efektiv të financave publike dhe përmbushje të standardeve më të larta akademike.