UFAGJ mirëpriti profesoreshen nga Spanja në kuadër të programit Erasmus+
Në kuadër të programit Erasmus+, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mirëpriti Prof. Dr. Nathalia Quiroz Molinares nga Universidad Católica San Antonio de Murcia (UCAM), Spanjë, e cila realizoi mobilitet akademik për mësimdhënie gjatë periudhës 25–29 maj 2026.
Gjatë qëndrimit të saj në UFAGJ, Prof. Dr. Nathalia Quiroz Molinares zhvilloi një sërë aktivitetesh akademike dhe profesionale me studentë dhe staf akademik, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe avancimin e praktikave bashkëkohore në arsim dhe mirëqenie profesionale.
Në kuadër të mobilitetit Erasmus+, ajo realizoi ligjëratë profesionale me studentët dhe stafin e universitetit, ku u trajtuan tema me interes akademik dhe profesional, duke nxitur diskutime interaktive dhe shkëmbim të njohurive ndërmjet pjesëmarrësve. Gjithashtu, u organizua trajnimi me temën “Menaxhimi emocional dhe kujdesi për veten”, i cili u fokusua në rëndësinë e mirëqenies emocionale, menaxhimit të stresit dhe zhvillimit të kapaciteteve personale dhe profesionale të stafit akademik dhe studentëve.
Gjithashtu, gjatë aktiviteteve të mobilitetit u prezantua edhe Qendra Universitare për Këshillime Psiko-sociale e universitetit, ku u ofrua një pasqyrë mbi shërbimet që aktualisht zbatohen me studentët, sfidat me të cilat përballet qendra, si dhe mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm ndërinstitucional ndërmjet universiteteve partnere.
Këto aktivitete përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet UFAGJ-së dhe UCAM University në Spanjë, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e universitetit, shkëmbimin e praktikave më të mira akademike dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim në projekte dhe mobilitete të ardhshme.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive për zhvillim akademik e profesional për studentët dhe stafin e tij.