UFAGj përmbyll me sukses vizitën e ekspertëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të AKA-së për riakreditimin institucional
Më 19 nëntor 2026, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mirëpriti ekipin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në kuadër të vizitës vlerësuese për procesin e riakreditimit institucional.
Kësaj vizite të rëndësishme i parapriu një punë e gjerë dhe e koordinuar përgatitore, e realizuar përmes angazhimit të përbashkët të menaxhmentit të Universitetit, Divizionit për Sigurimin e Cilësisë, fakulteteve dhe shërbimeve administrative.
Gjatë vizitës, ekipi i ekspertëve zhvilloi një sërë takimesh të ndara me menaxhmentin e Universitetit, dekanët e fakulteteve, përfaqësuesit e sigurimit të cilësisë, si dhe me stafin akademik dhe administrativ. Diskutimet u përqendruan në organizimin e punës në Universitet dhe në njësi akademike, zbatimin në praktikë të mekanizmave të sigurimit të cilësisë, si dhe në mbështetjen e vazhdueshme që u ofrohet studentëve gjatë studimeve.
Për të parë nga afër kushtet e studimit, ekspertët vizituan sallat e mësimit, laboratorët, bibliotekat, qendrat e Universitetit dhe hapësirat rekreative për studentët, ku u njohën me kapacitetet që UFAGj-ja ofron për mësimdhënie bashkëkohore, studim dhe punë praktike. Në kuadër të agjendës, delegacioni vizitoi edhe kampusin e ri të Universitetit, i cili është në ndërtim e sipër dhe pritet të krijojë kushte moderne infrastrukturore.
Në vijim të ditës, ekspertët u takuan me studentët, të diplomuarit, përfaqësuesit e Bordit të Universitetit dhe partnerët e jashtëm. Në këto takime, ata dëgjuan drejtpërdrejt për përvojën e studentëve gjatë studimeve, përgatitjen e të diplomuarve për tregun e punës dhe bashkëpunimin e frytshëm të Universitetit me akterët dhe partnerët e jashtëm.
UFAGj e vlerëson lart këtë vizitë si një mundësi të rëndësishme për të prezantuar punën dhe arritjet e deritanishme, si dhe për të reflektuar mbi hapat e ardhshëm drejt përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë.
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, falënderoi ekipin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e AKA-së për profesionalizmin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë procesit të vlerësimit. Njëkohësisht, Rektori Bunjaku shprehu mirënjohjen dhe falënderimin të veçantë për: studentët, të diplomuarit, partnerët e jashtëm nga bordi për ndërmarrësi, dekanët, stafin akademik dhe administrativ, organet drejtuese të Universitetit për kontributin e tyre të çmuar në realizimin e suksesshëm të vizitës.
UFAGj mbetet i përkushtuar ndaj përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë, forcimit të standardeve akademike dhe zhvillimit institucional, duke e konsideruar procesin e akreditimit një mekanizëm kyç për avancimin e misionit të tij në shërbim të studentëve, komunitetit akademik dhe shoqërisë në përgjithësi.