Yllarta Thaqi

Yllarta Thaqi

Shkencat Sociale – Kujdes dhe Mirëqenie Sociale (BA)

Viti akademik: 2022/2023 | Diplomuar në afat: 2025

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë

Profili

Studimet në Programin Kujdes dhe Mirëqenie Sociale (BA) kanë përfaqësuar për mua një formim të thellë akademik dhe njerëzor, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e kompetencave profesionale, ndjeshmërisë sociale dhe etikës së shërbimit publik. Puna sociale, për mua, nuk është vetëm profesion, por një mision i orientuar drejt mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe fuqizimit të individit dhe komunitetit.

Gjatë studimeve, jam angazhuar në mënyrë aktive në procesin mësimor, prezantime akademike, aktivitete të shumta në data të rëndësishme sociale, si dhe pjesëmarrje në konferenca dhe forume profesionale,në procesin e riakreditimit të programit te Shkencave Sociale të cilat kanë kontribuar në zgjerimin e njohurive teorike dhe praktike në fushën e punës sociale. Ambienti akademik, përkushtimi i stafit mësimdhënës dhe mbështetja institucionale kanë qenë faktorë kyç në ndërtimin e identitetit tim profesional.

Duke ardhur nga një sfond i ndryshëm profesional, bota e medias-gazetaria, administrata publike dhe angazhimi si asambleiste, këto studime përbëjnë një transformim të rëndësishëm personal dhe profesional, duke më orientuar drejt një qasjeje më gjithëpërfshirëse dhe humane në trajtimin

e çështjeve sociale.

Pas diplomimit në afat, kam filluar angazhimin profesional në Qendrën për Punë Sociale, në qytetin e Deçanit ku si punëtore sociale kontribuoj drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve sociale dhe në mbështetjen e kategorive në nevojë, duke aplikuar njohuritë akademike në praktikë dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes individit, familjes dhe institucioneve.

Shpreh mirënjohjen time të thellë për stafin akademik, profesorët dhe kolegët, të cilët kanë qenë pjesë e pandashme e këtij rrugëtimi dhe kanë kontribuar në realizimin e aspiratës sime për të qenë pjesë aktive e sistemit të kujdesit dhe mirëqenies sociale.

Për ta përmbyllur thjeshtë me dy thënie profesionale për Punën Sociale

  • Të shërbesh në punën sociale do të thotë të jesh zë institucional për ata që shpesh mbeten të padëgjuar
  • Punëtori social vepron në pikën ku nevoja njerëzore takon institucionin, duke qenë urë lidhëse mes individit, familjes dhe shoqërisë.

tp-bottom