Egzona Ujkani
Unë jam Egzona Ujkani dhe kam përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në programin e Fizioterapisë. Që në fillim të studimeve, kam qenë e motivuar nga dëshira për të punuar me njerëz, për t’i ndihmuar ata të rikuperojnë shëndetin, lëvizjen dhe cilësinë e jetës. Gjatë viteve akademike, jo vetëm që fitova njohuri të gjera teorike mbi anatomisë, biomekanikës dhe terapive fizike, por pata edhe mundësinë të zhvilloj aftësi praktike përmes praktikave klinike të vazhdueshme.
Gjatë praktikave kam punuar me pacientë me nevoja të ndryshme — nga lëndimet sportive, problemet neurologjike, dëmtimet muskulore, deri te pacientë që kërkonin rehabilitim pas operacioneve. Këto përvoja më mësuan të jem e durueshme, e kujdesshme, të dëgjoj nevojat individuale të secilit pacient dhe të kuptoj sa shumë ndikim mund të ketë një qasje profesionale dhe njerëzore në suksesin e trajtimit. Fizioterapia, për mua, gjithmonë ka qenë më shumë se një profesion; është një mënyrë të kujdesesh për tjetrin, një mundësi për të ndryshuar jetën e njerëzve në mënyrë pozitive.
Pas diplomimit, u angazhova në një klinikë private, ku vazhdoj të punoj edhe sot. Ky hap ishte një nga ndër më të rëndësishmit në karrierën time, sepse më dha mundësinë të zbatoja në praktikë gjithçka që kisha mësuar gjatë viteve të studimit. Sot jam e përfshirë çdo ditë në trajtimin e pacientëve me lëndime të ndryshme fizike, duke përdorur metoda moderne të fizioterapisë dhe qasje individuale për secilin prej tyre. Çdo ditë e punës më jep mundësinë të rritem profesionalisht, të mësoj më shumë dhe të vazhdoj të kontribuoj në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së komunitetit tim.
Ajo që më motivon më së shumti në punën time është momenti kur shoh progresin e pacientit kur dikush fillon të ecë më mirë, të ndihet më pak me dhimbje, ose të rikthehet në aktivitetet e përditshme. Ajo ndjenjë vlerësimi dhe gëzimi që e shoh tek pacientët më jep forcë dhe energji për të vazhduar më tej.