Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë pranon 503 libra donacion nga ORCA

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë pranon 503 libra donacion nga ORCA

Më 20 dhjetor 2021 (e hënë), Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë e vizituan përfaqësuesit e  Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), z. Dibran Hoxha, koordinator i aktiviteteve dhe administratës dhe znj. Adea Ondirolli, menaxhere e projekteve, të cilët u pritën nga rektori prof. ass. dr. Artan Nimani, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit e studentëve nga Parlamenti Studentor.

Në këtë ngjarje u bë pranimi i 377 titujve të 503 kopjeve të librave donacion nga fushata e ORCA-s #NdajeDijen, për pasurimin e “Këndit të leximit” në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass.dr. Artan Nimani, shprehu falënderim për donacionin e ORCA-s, i cili ka për qëllim shpërndarjen e dijes dhe krijimin e hapësirave të përshtatshme për lexim. Rektori Nimani, njoftoi se brenda këtij viti do të jenë në shërbim edhe hapësira tjera të leximit për studentët e UFAGJ-së.

Ndërsa, z. Dibran Hoxha nga ORCA, falënderoi menaxhmentin e Universitetit, studentët dhe në veçanti rektorin Nimani për lejimin e shfrytëzimit të infrastrukturës për krijimin e “Këndit të leximit”, si dhe donatorët për mundësimin e blerjes së librave.

Kjo hapësirë e “Këndit të leximit” është mundësuar nga grantet e ORCA-s, në kuadër të projektit QAINT, i mbështëtur nga Austrian Development Agency (ADA) dhe i zbatuar nga studentët e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Fotot e lajmit

tp-bottom