U mbajt provimi pranues i afatit të dytë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë

U mbajt provimi pranues i afatit të dytë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë

Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, sot u mbajt provimi pranues i afatit të dytë për kandidatët e interesuar në të gjitha programet e studimit për vitin akademik 2026/2027.

Me këtë rast, kandidatët u mirëpritën nga dekanët, stafi akademik dhe administrativ i njësive akademike, si dhe studentët aktualë të Universitetit, të cilët kontribuuan në krijimin e një atmosfere mikpritëse dhe mbështetëse për aplikantët e rinj.

E pranishme në këtë proces ishte edhe Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve, Prof. Dr. Sindorela Doli-Kryeziu, e cila, në emër të menaxhmentit të Universitetit, u uroi kandidatëve suksese në provimin pranues dhe në fillimin e rrugëtimit të tyre akademik.

Në fjalën e saj, Prorektorja theksoi rëndësinë e përkushtimit, përgatitjes së vazhdueshme dhe zhvillimit të kompetencave profesionale gjatë studimeve universitare, duke shprehur mirënjohjen për besimin që kandidatët i kanë dhënë Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Provimi pranues u zhvillua falë angazhimit dhe bashkëpunimit të stafit akademik, administrativ dhe studentëve, duke synuar garantimin e një procesi profesional, korrekt dhe transparent, në përputhje me parimet dhe standardet institucionale të Universitetit.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar ndaj garantimit të mundësive të barabarta, gjithëpërfshirjes dhe standardeve të larta akademike, duke krijuar një mjedis mbështetës për çdo student në rrugëtimin e tij drejt dijes dhe zhvillimit profesional.

Mirë se vini në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë – aty ku dija, përkushtimi dhe zhvillimi profesional ndërtojnë të ardhmen! 

Fotot e lajmit