Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë pranon 503 libra donacion nga ORCA
Më 20 dhjetor 2021 (e hënë), Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë e vizituan përfaqësuesit e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), z. Dibran Hoxha, koordinator i aktiviteteve dhe administratës dhe znj. Adea Ondirolli, menaxhere e projekteve, të cilët u pritën nga rektori prof. ass. dr. Artan Nimani, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit e studentëve nga Parlamenti Studentor.
Në këtë ngjarje u bë pranimi i 377 titujve të 503 kopjeve të librave donacion nga fushata e ORCA-s #NdajeDijen, për pasurimin e “Këndit të leximit” në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass.dr. Artan Nimani, shprehu falënderim për donacionin e ORCA-s, i cili ka për qëllim shpërndarjen e dijes dhe krijimin e hapësirave të përshtatshme për lexim. Rektori Nimani, njoftoi se brenda këtij viti do të jenë në shërbim edhe hapësira tjera të leximit për studentët e UFAGJ-së.
Ndërsa, z. Dibran Hoxha nga ORCA, falënderoi menaxhmentin e Universitetit, studentët dhe në veçanti rektorin Nimani për lejimin e shfrytëzimit të infrastrukturës për krijimin e “Këndit të leximit”, si dhe donatorët për mundësimin e blerjes së librave.
Kjo hapësirë e “Këndit të leximit” është mundësuar nga grantet e ORCA-s, në kuadër të projektit QAINT, i mbështëtur nga Austrian Development Agency (ADA) dhe i zbatuar nga studentët e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.