Asociacioni i Komunave dhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” lidhin memorandum mirëkuptimi
Në kuadër të bashkëpunimit mes institucioneve, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) dhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” kanë nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit.
Me këtë marrëveshje bashkëpunimi përcaktohet qëllimi i përbashkët që partnerët do të angazhohen për krijimin e kushteve më të mira, të cilat do të avancojnë shkallën e zhvillimit njerëzor nëpërmjet krijimit të mundësive për të mbaruar praktikën e studentëve pranë Komunave të Republikës së Kosovës.
Kjo marrëveshje specifikon që për çdo vit akademik, Asociacioni i Komunave të Kosovës, do të përcaktojë numrin e studentëve që do të aftësohen nëpërmjet punës praktike në lokalet e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe të komunave të Republikës së Kosovës (në Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe në Drejtoritë Komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale).
Në anën tjetër, Asociacioni i Komunave të Kosovës zotohet që do të mbështes Universitetin e Gjakovës "Fehmi Agani" me pjesëmarrje në grupet punuese për zhvillimin e strategjisë së universitetit 2020 -2025.
Kjo Marrëveshje Bashkëpunimi është nënshkruar nga Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” prof.ass.dr. Artan Nimani dhe Drejtori Ekzekutiv i AKK-së Mg.sci. Sazan Ibrahimi.