UFAGJ në Asamblenë e UNIMED në Barcelonë, pjesë e vendimmarrjes për të ardhmen e bashkëpunimit universitar euro-mesdhetar

UFAGJ në Asamblenë e UNIMED në Barcelonë, pjesë e vendimmarrjes për të ardhmen e bashkëpunimit universitar euro-mesdhetar

Barcelona, 7–8 tetor 2026

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të UNIMED 2026, e cila u mbajt më 7 dhe 8 tetor 2026 në Barcelonë, Spanjë. Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, UFAGJ u përfaqësua nga Rektori i Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, së bashku me Bujar Nura, nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare (IRO).

Asambleja e Përgjithshme e UNIMED përbën një nga ngjarjet kryesore vjetore të rrjetit, e cila këtë vit mblodhi rreth 200 përfaqësues të universiteteve anëtare, institucioneve partnere dhe aktorëve të tjerë të arsimit të lartë, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për dialog, shkëmbim përvojash dhe fuqizim të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar. Edicioni i këtij viti kishte një rëndësi të veçantë, pasi shënoi edhe 35-vjetorin e themelimit të UNIMED.

Gjatë punimeve të Asamblesë u diskutuan çështje me rëndësi strategjike për universitetet dhe zhvillimin e arsimit të lartë në hapësirën euro-mesdhetare, përfshirë bashkëpunimin akademik ndërkombëtar, mundësitë në kuadër të programeve Erasmus+ dhe Horizon Europe, mbështetjen për studentët dhe studiuesit në zonat e prekura nga krizat, zhvillimin e kompetencave dhe mikrokredencialeve, përfshirjen aktive të studentëve, si dhe rolin e universiteteve në përballimin e sfidave të ndryshimeve klimatike.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ), në cilësinë e anëtarit me të drejtë vote në UNIMED, mori pjesë edhe në procesin zgjedhor për përzgjedhjen e Presidentit dhe të Bordit Drejtues të rrjetit për mandatin e ri 2026–2029. Kjo pjesëmarrje pasqyron angazhimin aktiv të UFAGJ në proceset vendimmarrëse dhe në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndëruniversitar në nivel ndërkombëtar.

Në kuadër të Asamblesë, përfaqësuesit e UFAGJ patën mundësi të krijojnë kontakte të reja dhe të shkëmbejnë ide me përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve të ndryshme, me qëllim identifikimin e mundësive për bashkëpunim akademik, mobilitet të studentëve dhe stafit, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe pjesëmarrjen në iniciativa ndërkombëtare.

Pjesëmarrja aktive e UFAGJ në UNIMED riafirmon përkushtimin institucional ndaj ndërkombëtarizimit, zgjerimit të partneriteteve strategjike dhe forcimit të pozitës së Universitetit në hapësirën evropiane dhe euro-mesdhetare të arsimit të lartë. Përmes angazhimit në këtë rrjet, UFAGJ synon të zgjerojë mundësitë për studentët dhe stafin akademik, të fuqizojë bashkëpunimin shkencor dhe të kontribuojë në nismat që formësojnë të ardhmen e arsimit të lartë.

Fotot e lajmit