UFAGJ dhe Zyra Erasmus+ organizuan sesion informues për projektet dhe bursat Erasmus+
Më 11 dhjetor, në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u mbajt një sesion informues i dedikuar projekteve dhe bursave Erasmus+, i organizuar nga Zyra e Erasmus+ në bashkëpunim me Zyrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në UFAGJ.
Sesioni u hap nga Rektori, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, i cili në fjalën e tij të rastit shprehu mirënjohje të thellë ndaj Zyrës Erasmus+ për Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë ndër vite. Ai theksoi se programet Erasmus+ janë një shtyllë e rëndësishme në ndërkombëtarizimin e universitetit, duke krijuar mundësi të vlefshme për zhvillimin profesional të stafit, si dhe për rritjen akademike dhe kulturore të studentëve. Rektori nënvizoi se këto programe i mundësojnë institucionit të zgjerojë rrjetin e partneriteteve ndërkombëtare, të rrisë cilësinë e arsimit dhe të ofrojë një ambient më të hapur e dinamik për të gjithë komunitetin universitar.
Në vijim, Znj. Blerina Ziaqa, përfaqësuese e programit Erasmus+ për Kosovë, prezantoi mundësitë që ofron programi për vitin 2026. Ajo theksoi rëndësinë e dimensionit ndërkombëtar të programit Erasmus+, duke ndarë informata mbi:
- KA1 – Shkëmbime afatshkurtra dhe mobilitetet.
- Erasmus Mundus Joint Masters,
- KA2 – Projekte për ndërtimin e kapaciteteve në arsimin e lartë.
Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me programet Jean Monnet dhe iniciativat për shkëmbime virtuale në arsimin e lartë.
Studentet përfituese të programit Erasmus+ nga drejtimi Gjuha Angleze – Përkthim dhe Interpretim, Eda Baraku dhe Elma Keraxhija, ndanë me pjesëmarrësit një përvojë të detajuar dhe tejet inspuruese nga mobiliteti i tyre në Universitetin e Padovës, Itali. Ato fillimisht treguan për procesin e aplikimit, duke sqaruar hapat që kanë ndjekur, dokumentacionin e nevojshëm dhe mbështetjen që kanë marrë nga zyra e bashkëpunimit ndërkombetar gjatë gjithë procedurës.
Në vazhdim, studentet ndanë edhe sfidat që i kanë shoqëruar gjatë qëndrimit të tyre në Itali, si adaptimi në një ambient të ri akademik, menaxhimi i ngarkesës së studimeve dhe sfidat kulturore e gjuhësore. Megjithatë, ato theksuan se këto sfida janë shndërruar në përvoja të vlefshme që kanë kontribuar në forcimin e pavarësisë, aftësive ndërkulturore dhe vetëbesimit të tyre profesional.
Ato nënvizuan se pjesëmarrja në Erasmus+ ka pasur një ndikim të thellë pozitiv në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional, duke u hapur dyer të reja në aspektin e karrierës dhe perspektivave ndërkombëtare.
Më tej, profesoresha Nazli Tyfekçi prezantoi projektin BEWBU, i cili po implementohet në kuadër të thirrjeve KA2 – Capacity Building in Higher Education.
Në fund, stafi dhe studentët e pranishëm patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje rreth temave që i interesonin për programet Erasmus+.
Ky sesion synon të forcojë informimin, pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar brenda komunitetit tonë universitar.