UFAGJ mirëpret stafin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) mirëpriti delegacionin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, të kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji, në kuadër të një vizite institucionale që synon forcimin e marrëdhënieve ndëruniversitare dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik, shkencor dhe institucional ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lart Delegacioni u prit nga Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, së bashku me përfaqësues të universitetit.
Takimi shërbeu si një mundësi për të diskutuar mbi perspektivat e bashkëpunimit afatgjatë, avancimin e partneritetit akademik dhe krijimin e mekanizmave konkretë për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Gjatë takimit, Rektori Prof. Asoc Dr. Drilon Bunjaku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve shqipfolëse, duke vënë në pah se ndarja e përvojave, ekspertizës dhe kapaciteteve akademike përbën një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe kontributit të universiteteve në shoqëri. Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën që marrëdhëniet ndërmjet universiteteve të konkretizohen përmes iniciativave të përbashkëta, projekteve kërkimore dhe mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Në kuadër të vizitës u organizua edhe një tryezë e rrumbullakët, ku drejtuesit dhe përfaqësuesit e të dy universiteteve zhvilluan diskutime të përbashkëta mbi fushat prioritare të bashkëpunimit dhe mundësitë për thellimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale. Diskutimet u përqendruan në disa fusha kryesore:
Një ndër prioritetet ishte zgjerimi i shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta shkencore, zhvillimi i programeve të ërbashkëta dhe shkëmbimi i përvojave në mësimdhënie dhe sigurimin e cilësisë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të teknologjive digjitale dhe Inteligjencës Artificiale në institucionet e arsimit të lartë. Pjesëmarrësit diskutuan për mundësitë që ofrojnë teknologjitë e reja në përmirësimin e proceseve mësimore, kërkimore dhe administrative, si dhe për sfidat që lidhen me integrimin e tyre në mënyrë efektive dhe të përgjegjshme.
U trajtua gjithashtu rëndësia e shkëmbimit të praktikave të mira në sigurimin e cilësisë, avancimit të standardeve akademike dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, si elemente thelbësore për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve.
Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) ndërmjet Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.z Memorandumi përfaqëson një hap të rëndësishëm në formalizimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, duke krijuar një kornizë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike, shkencore dhe institucionale.
Përmes këtij memorandumi synohet:
-
-
Zgjerimi i mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik.
-
Shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës akademike.
-
Zhvillimi i projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore.
-
Organizimi i konferencave, seminareve, punëtorive dhe aktiviteteve të tjera akademike.
-
Bashkëpunimi në zhvillimin e programeve dhe iniciativave të përbashkëta.
-
Shkëmbimi i praktikave të mira në sigurimin dhe avancimin e cilësisë.
-
Nxitja e aplikimeve të përbashkëta në programe dhe projekte ndërkombëtare.
-
Nënshkrimi i MoU-së dëshmon vullnetin e përbashkët të të dy institucioneve për ta shndërruar bashkëpunimin në rezultate konkrete, duke krijuar mundësi të reja për komunitetin akademik dhe studentor.
Vizita e delegacionit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit përfaqësojnë një tjetër hap në angazhimin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë për zgjerimin e rrjetit të partneriteteve rajonale dhe ndërkombëtare. Përmes këtyre bashkëpunimeve, UFAGJ synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin profesional të studentëve dhe stafit akademik, rritjen e kapaciteteve kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Të dy universitetet riafirmuan rëndësinë e vazhdimit të komunikimit institucional dhe konkretizimit të marrëveshjeve përmes aktiviteteve dhe projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në rajon.