SARANDA MULLAIBRAHIMI - Mësimdhënëse në SHFMU “Zekeria Rexha”
Saranda u lind në Gjakovë. Shkollën fillore e përfundoi në SHFMU “Zekeria Rexha”, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “Hajdar Dushi”, në drejtimin gjuhësor.
Më pas, studimet themelore vendosi t’i vazhdonte në Universitetin “Fehmi Agani” të Gjakovës, në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Gjatë studimeve, ajo u dallua për përkushtim dhe performancë të shkëlqyer. Punimi i saj i diplomës u vlerësua lartë për qasjen origjinale dhe përmbajtjen e pasur akademike gjë që bëri të përzgjidhej të merrte pjesë në konferenca të ndryshme. Gjithashtu ka qenë pjesë e trajnimeve të ndryshme për ngritje profesionale. Prandaj është gjithmonë falenderuese dhe mirënjohëse ndaj UFAGJ, për zhvillimin profesional dhe ndërtimin e karrierës.
Dashuria për gjuhën angleze dhe pasioni për mësimdhënien kanë qenë udhërrëfyesit e saj në çdo hap profesional.
Ajo ka punuar në disa institucione arsimore dhe kurse gjuhësore, përfshirë “Elite School”, gjithashtu ka mbajtur edhe kurse individuale për nxënës të niveleve të ndryshme. Po ashtu, ka qenë mësimdhënëse e gjuhës angleze në SHFMU “Dëshmorët Lleshi” në Doblibarë, në “Pjetër Bogdani” Demjan 2, në SHFMU “Hamëz Cena” Demjan, dhe në SHFMU “Mazllum Këpuska”. Aktualisht është pjesë e stafit mësimdhënës në SHFMU “Zekeria Rexha” në Gjakovë.
Saranda beson se mësimi i gjuhës angleze nuk është vetëm përvetësim fjalësh dhe rregullash, por një dritare drejt botës, kulturave dhe mundësive të reja. Për të, çdo orë mësimore është një hap drejt rritjes intelektuale dhe emocionale të nxënësve.
Ajo udhëhiqet nga bindja se suksesi në mësimdhënie lind nga dashuria, durimi dhe frymëzimi që i ofron çdo ditë nxënësve të saj.