Një arritje historike për UFAGJ: Akreditohet për herë të parë programi Informatika Inxhinierike (BSc.) dhe funksionalizohet Fakulteti i Shkencave Aplikative në Gjakovë

Një arritje historike për UFAGJ: Akreditohet për herë të parë programi Informatika Inxhinierike (BSc.) dhe funksionalizohet Fakulteti i Shkencave Aplikative në Gjakovë

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) ka shënuar një moment historik në zhvillimin e tij akademik dhe institucional. Për herë të parë, është akredituar programi i studimit Informatika Inxhinierike (BSc.) në kuadër të Fakultetit të ri të Shkencave Aplikative, duke funksionalizuar kështu një fakultet që do të jetë bazë e rëndësishme për zhvillimin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë.

Ky program i ri vjen si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesave të tregut të punës në rajonin e Gjakovës, rrafshin e Dukagjinit dhe më gjerë. Studentët që do të ndjekin këtë program do të përfitojnë njohuri dhe aftësi të avancuara në fusha si programimi, rrjetet kompjuterike, siguria kibernetike, sistemet e integruara dhe teknologjitë bashkëkohore të informacionit dhe inxhinierisë, duke u bërë profesionistë konkurrues në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, si ideator i këtij programi, theksoi se:

“Jam krenar për këtë arritje historike të menaxhmentit të lartë të UFAGJ dhe u jam mirënjohës shumë njerëzve dashamirë që mbështetën këtë program gjatë gjithë këtij rrugëtimi shumë të gjatë dhe sfidues.”

Rektori Bunjaku, theksoi se ky zhvillim i ri në arsimin e lartë në Komunën e Gjakovës do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e largimit të të rinjve nga qyteti, duke u ofruar atyre mundësinë të studiojnë në fushat e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë pa qenë të detyruar të dalin jashtë vendit. Sipas tij, kjo nismë jo vetëm që do të ngrisë nivelin arsimor dhe profesional të gjeneratave të reja, por gjithashtu do të ketë një efekt të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, duke rritur potencialin e shërbimeve outsourcing nga Komuna e Gjakovës në sektorin e IT-së.

UFAGJ i fton të gjithë të interesuarit për të ndjekur webfaqen zyrtare të Universitetit, ku do të publikohen informatat lidhur me konkursin për pranimin e studentëve të rinj në këtë program, i cili pritet të shpallet gjatë javës së parë të muajit shtator.

tp-bottom