UFAGJ nënshkruan MoU me shoqatën RUMELİSİAD në Bursa, Turqi - Një hap i ri drejt ndërkombëtarizimit dhe ndikimit shoqëror

UFAGJ nënshkruan MoU me shoqatën RUMELİSİAD në Bursa, Turqi - Një hap i ri drejt ndërkombëtarizimit dhe ndikimit shoqëror

Në përputhje me vizionin strategjik për zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe forcimin e angazhimit shoqëror, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka nënshkruar zyrtarisht një Marrëveshje Mirëkuptimi me RUMELİSİAD (Shoqata e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Rumelisë) në qytetin Bursa të Turqisë.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare nga delegacioni i universitetit, i udhëhequr nga Rektori, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, i shoqëruar nga Prorektoret Nazlı Tyfekçi dhe Dafina Kaçuri. Memorandumi u nënshkrua nga Kryetari i RUMELİSİAD, z. Murat Evke, i cili gjithashtu priti me mikpritje delegacionin dhe shprehu mbështetje të fuqishme për bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet dy institucioneve.

Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në kuadër të përmbushjes së misionit të tretë të universitetit - nxitja e bashkëpunimit aktiv me sektorin e biznesit dhe kontributi ndaj zhvillimit rajonal dhe transformimit shoqëror.

Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet synojnë të promovojnë: mundësi të zgjeruara për praktika profesionale dhe trajnime për studentët, shkëmbime akademike dhe iniciativa të përbashkëta, si dhe bashkëpunim në fushat e ndërmarrësisë dhe inovacionit.

Ceremonia e nënshkrimit u nderua edhe me pjesëmarrjen e z. Fahrettin Gülener, Konsulli Nderi i Kosovës në Bursa, dhe z. Recep Gündüz, Kryetar i Shoqatës për Solidaritet dhe Kulturë Kosovë -Shqipëri – Maqedoni, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile ndërmjet dy vendeve.

“Kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin tonë për të përgatitur studentët jo vetëm në aspektin akademik, por edhe si kontribuues aktivë në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë së vendit. Bashkëpunimi me një organizatë dinamike si RUMELİSİAD u krijon mundësi studentëve dhe stafit tonë të bëhen pjesë e një rrjeti më të gjerë të inovacionit dhe zhvillimit rajonal. Ky partneritet pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së programeve të studimit dhe në përgatiten e të diplomuarve profesionist që do të jenë konkurues për tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.” u shpreh Rektori Bunjaku gjatë vizitës.

Ky bashkëpunim mbështet qëllimin afatgjatë të universitetit për të integruar punën akademike me ndikimin real në shoqëri, dhe hap një kapitull të ri në forcimin e ndërmarrësisë, fuqizimin e të rinjve dhe transferimin e dijes ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Fotot e lajmit

tp-bottom