Debat i Hapur për Hartimin e Planit Strategjik 2026–2030 në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë

Debat i Hapur për Hartimin e Planit Strategjik 2026–2030 në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë

Në ambientet e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë u mbajt një debat i hapur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të strukturave drejtuese, stafit akademik dhe administratës në funksion të përgatitjes së Planit Strategjik 2026–2030 të universitetit.

Debatin e hapi Znj. Majlinda Haxhikadrija Ramadani, Kryesuese e Këshillit Drejtues të Universitetit, e cila theksoi rëndësinë e harmonizimit të planit të ri strategjik me objektivat e Strategjisë së Arsimit të Lartë në Kosovë dhe në drejtimin e zhvillimit dinamik të teknologjisë. Në fjalën e saj, ajo potencoi nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse, të orientuar drejt cilësisë, digjitalizimit dhe konkurrueshmërisë së sistemit të arsimit të lartë në përputhje me standardet evropiane.

Më pas, Prof. Dr. Lulzim Zeneli, Kryesues i Grupit Punues për hartimin e strategjisë së re, mbajti një prezantim të detajuar mbi strukturën e re strategjike, ku theksoi synimet kryesore të universitetit për periudhën 2026–2030. Prezantimi përfshiu shtyllat kryesore strategjike: arsim cilësor, kërkim shkencor, digjitalizim, ndërkombëtarizim, zhvillim infrastrukturor dhe lidhje me tregun e punës. Poashtu, u potencua që qëndrueshmëria dhe cilësia e Universitetit varen drejtëpërsëdrejti nga investimi i qëndrueshëm në katër shtyllat themelore.

Pas prezantimeve, u zhvillua një debat i hapur dhe interaktiv me pjesëmarrësit, ku u shkëmbyen mendime dhe analiza lidhur me përmbajtjen e planit dhe sfidat përpara. Diskutimi u fokusua në disa fusha thelbësore për zhvillimin e universitetit:

  • Digjitalizimi dhe përfshirja e inteligjencës artificiale në procesin e mësimdhënies dhe menaxhimit akademik;
  • Bashkëpunimi ndërkombëtar akademik dhe shkencor;
  • Zhvillimi i punës kërkimore-shkencore dhe aplikimi i saj në shërbim të komunitetit;
  • Roli i programeve të studimit në kuadër të misionit të tretë të universitetit: ndikimi në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të rajonit.

Debati shërbeu si një hap i rëndësishëm për angazhimin e të gjitha palëve të interesit në ndërtimin e një strategjie të re që do të udhëheqë universitetin drejt zhvillimit të qëndrueshëm, hulumtimit dhe inovacionit.

Procesi i hartimit të planit strategjik do të vazhdoj nga grupi punues duke integruar të gjithë akterët për të siguruar një plan strategjik gjithëpërfshirës, objektiv dhe i mbështetur në vizion dhe zhvillim progresiv institucional.

Fotot e lajmit

tp-bottom