Ligjëratë informuese mbi Komunikimin e Qasshëm me studentët e Fakultetit Filologjik në Universitetin “Fehmi Agani” (UFAGJ) në Gjakovë
Me datë 11.04.2025 Caritas Kosova me ligjëruese MSc. Blerina Vehbiu mbajti një ligjëratë informuese me temën “Komunikimi i Qasshëm” në kuadër të projektit ACTIVE 2 “Komunikimi i qasshëm drejt përfshirjes së personave të cenueshëm dhe të përjashtuar në Ballkanin Perëndimor”.
Ligjërata u zhvillua me pjesëmarrjen aktive të studentëve të Fakultetit Filologjik të drejtimit Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, të cilët patën mundësinë të njihen më afër me konceptet bazë, parimet dhe standardet e Gjuhës së Lehtë dhe të Qasshme si dhe Leximin e Lehtë dhe rëndësinë e tyre në përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në shoqëri.
Përveç pjesës teorike, ligjërata ka përfshirë edhe ushtrime praktike ku studentët punuan në grupe për të thjeshtuar tekste ekzistuese dhe për të krijuar materiale të qasshme për personat me aftësi të kufizuara dhe me nevoja të ndryshme në komunikim. Përmes këtyre ushtrimeve, studentët zhvilluan aftësitë e tyre profesionale për të komunikuar në mënyrë më të barabartë, të qartë dhe gjithëpërfshirëse.
Kjo ligjëratë është pjesë e bashkëpunimit ndërmjet Caritas Kosova dhe Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, me qëllim ndërgjegjësimin dhe edukimin e gjeneratave të reja për rëndësinë e komunikimit të qasshëm për të gjithë.