UFAGJ forcon bashkëpunimin ndërkombëtar në Konferencën për Ndërkombëtarizim të mbajtur në Universitetin Ondokuz Mayıs
Konferenca ndërkombëtare mbi ‘’Ndërkombëtarizimin në Arsimin e Lartë: Navigimi i Sfidave dhe Mundësive Globale’’ u mbajt nga 25 deri më 27 tetor, 2024, në Universitetin Ondokuz Mayis (UOM). Universiteti ‘’Fehmi Agani’’ (UFAGJ) në Gjakovë ishte në mesin e partnerëve në organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, e cila përfshiu pjesëmarrjen e 26 universiteteve.
Mysafire e ftuar ishte edhe Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte nga UFAGJ-ja Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi, e cila mori pjesë edhe në ceremoninë e hapjes edhe në panelet shkencore, ku ndërkombëtarizimi ishte temë qendrore e diskutimit.
Gjatë konferencës, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi (MB) në mes të Prof.Ass.Dr. Nazli Tyfekçi, Prorektores së UFAGJ-së, dhe Prof.Dr. Cetin Kurnaz, Prorektor i UOM. Të dy universitetet u përkushtuan për memorandumin e nënshkruar në kapacitetin e tyre të plotë, duke shënuar kështu hapat formal fillestarë drejt bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.
UOM, i themeluar në vitin 1975, është universiteti më i madh në regjionin e Detit të Zi dhe njihet si Universitet shtetëror i shquar me 20 fakultete, 23 kolegje, 13 shkolla profesionale, 5 institute, një konzervator, dhe 24 qendra kërkimore.
Gjatë qëndrimit në këtë Universitet, Prorektorja Tyfekçi takoi edhe studentë nga Kosova që po vazhdojnë studimet në UOM.
UFAGJ është i përkushtuar në përvetësimin e vlerave universale dhe kultivimit të inovacionit për dobinë e individëve dhe shoqërisë. Ndërkombëtarizimi është prioritet strategjik për UFAGJ- në, ngaqë synon ta fuqizojë prezencën dhe bashkëpunimet e tij në nivel global.