Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe të Fakultetit të Edukimit vizitojnë Parkun Nacional “Blinaja”

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe të Fakultetit të Edukimit vizitojnë Parkun Nacional “Blinaja”

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, në kuadër të lëndës Ekologjia dhe mbrojtja e mjedisit dhe të Fakultetit të Edukimit me lëndën Bazat e Shkencave Natyrore, pranë Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, të shoqëruar nga Prof. Asoc. Lulzim Zeneli dhe Prof. Ass. Vllaznim Mula, kanë vizituar Parkun Nacional “Blinaja”.

Nga stafi i “Blinaja” studentët janë informuar mbi botën e gjallë bimore që mbizotëron në këtë park, poashtu edhe për faunën e egër dhe llojet e tyre të cilat janë të shumta në këtë zonë me pozicion mjaft të mirë gjeografik në Kosovë.

”Blinaja” shtrihet në pjesën perëndimore të ultësirës së Kosovës, në jug-perëndim të Prishtinës në largësi prej 32 km dhe ngrihet në lartësitë 600-850 m mbi nivelin e detit, në një rajon kodrinor të vend-gjuetive. Bota e gjallë bimore e kësaj njësie menaxhimi përfaqësohet nga një numër i madh llojesh autoktone, si dhe nga fauna e egër. Vegjetacioni është i begatshëm dhe i llojllojshëm si rezultat i proceseve historike evolutive dhe kushteve mjaft të përshtatshme gjeografike, orografike, klimatike, gjeologjike dhe pedologjike. Karakterizohet me një terren të brezit kodrinor me thyerje mesatare dhe pa pjerrësi të theksuara.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka krijuar mundësi të ndryshme për avancimin e studentëve sidomos nga ana praktike, ku vizitohen vende të ndryshme, institucione, shkolla, spitale, organizata, kompani, biznese, etj., që përkojnë me anën studimore të drejtimeve përkatëse nëpër njësitë akademike të UFAGj.

Prof. Asoc. Lulzim Zeneli dhe Prof. Ass. Vllaznim Mula në emrin e tyre, të studentëve dhe të Universitetit “Fehmi Agani”, kanë falënderuar stafin e “Blinaja” për pritjen në vizitë sot, dhe për të gjitha informacionet që ndanë te studentët. 

 

 

Fotot e lajmit

tp-bottom