Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon përgatitjet për riakreditim institucional në bashkëpunim me Programin SHER

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon përgatitjet për riakreditim institucional në bashkëpunim me Programin SHER

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë në mbështetje të programit "Sustainable Higher Education and Research in Kosovo (SHER) ", më 9 dhe 10 tetor 2026, organizuan bashkërisht punëtori dyditore në kuadër të përgatitjeve për procesin e riakreditimit institucional. Punëtoria u mbajt në Hotel Dukagjini në Pejë me synimin të kontribuojë në avancimin e dokumentacionit të vetëvlerësimit dhe në harmonizimin e tij me standardet dhe treguesit e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

Në këtë punëtori morën pjesë anëtarët e Këshillit Drejtues, menaxhmenti i Universitetit, stafi akademik, stafi administrativ dhe përfaqësuesit e studentëve, duke dëshmuar rëndësinë e përfshirjes së të gjitha strukturave universitare në procesin e sigurimit të cilësisë dhe të përgatitjes për akreditim institucional.

Punëtoria u hap me fjalë përshëndetëse nga Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, Rektor i UFAGJ-së, dhe Prof. Dr. Bujar Pira, ekspert i Programit SHER.

Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit u njohën me procesin e riakreditimit institucional dhe vizitën e ekspertëve ndërkombëtarë, me fokus të veçantë në agjendën e vizitës dhe Raportin e Vetëvlerësimit (RVV). Punimet u udhëhoqën nga Prof. Dr. Bujar Pira, i cili prezantoi metodologjinë e punës dhe organizimin e pjesëmarrësve në grupe tematike.

Puna në grupe u përqendrua në katër fusha kryesore: udhëheqja dhe strategjia institucionale; sigurimi i brendshëm i cilësisë, stafi akademik dhe kërkimi shkencor, si dhe studentët, alumni dhe shërbimet mbështetëse.

Përmes analizës së draftit të Raportit të Vetëvlerësimit, pjesëmarrësit shqyrtuan përputhshmërinë e tij me standardet dhe treguesit e AKA-së, me qëllim identifikimin e mospërputhjeve të mundshme dhe përcaktimin e fushave që kërkojnë përmirësim. Punimet përfshinë gjithashtu prezantimin e gjetjeve nga grupet punuese dhe diskutimin e përbashkët mbi rezultatet e analizës.

Kjo punëtori përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kulturës së cilësisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet strukturave universitare dhe në përgatitjen e institucionit për një proces sa më të mirëfilltë të akreditimit institucional.

Menaxhmenti i UFAGj shpreh mirënjohjen dhe falënderimin ndaj udhëheqësisë së programit SHER për mbështetjen e vazhduar në proceset e rëndësishme të riakreditimit institucional.

Universiteti mbetet i përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në arsim, avancimin e standardeve akademike dhe institucionale, si dhe në krijimin e një mjedisi universitar që mbështet zhvillimin akademik, kërkimin shkencor dhe suksesin e studentëve.

Fotot e lajmit