Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon përgatitjet për riakreditim institucional në bashkëpunim me Programin SHER
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, më 9 dhe 10 tetor 2026, organizon punëtori dyditore në kuadër të përgatitjeve për procesin e riakreditimit institucional. Punëtoria u mbajt në Hotel Dukagjini në Pejë dhe synon të kontribuojë në avancimin e dokumentacionit të vetëvlerësimit dhe në harmonizimin e tij me standardet dhe treguesit e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).
Në këtë punëtori morën pjesë anëtarët e Këshillit Drejtues, menaxhmenti i Universitetit, stafi akademik, stafi administrativ dhe përfaqësuesit e studentëve,, duke dëshmuar rëndësinë e përfshirjes së të gjitha strukturave universitare në procesin e sigurimit të cilësisë dhe të përgatitjes për akreditim institucional.
Punëtoria u hap me fjalë përshëndetëse nga Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, Rektor i UFAGJ-së, dhe Prof. Dr. Bujar Pira, ekspert i Programit SHER.
Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit u njohën me procesin e riakreditimit institucional dhe vizitën e ekspertëve ndërkombëtarë, me fokus të veçantë në agjendën e vizitës dhe Raportin e Vetëvlerësimit (RVV). Punimet u udhëhoqën nga Prof. Dr. Bujar Pira, i cili prezantoi metodologjinë e punës dhe organizimin e pjesëmarrësve në grupe tematike.
Puna në grupe u përqendrua në katër fusha kryesore: udhëheqja dhe strategjia institucionale; sigurimi i brendshëm i cilësisë, stafi akademik dhe kërkimi shkencor, si dhe studentët, alumni dhe shërbimet mbështetëse.
Përmes analizës së draftit të Raportit të Vetëvlerësimit, pjesëmarrësit shqyrtuan përputhshmërinë e tij me standardet dhe treguesit e AKA-së, me qëllim identifikimin e mospërputhjeve të mundshme dhe përcaktimin e fushave që kërkojnë përmirësim. Punimet përfshinë gjithashtu prezantimin e gjetjeve nga grupet punuese dhe diskutimin e përbashkët mbi rezultatet e analizës.
Kjo punëtori përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kulturës së cilësisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet strukturave universitare dhe në përgatitjen e institucionit për një proces sa më të mirëfilltë të akreditimit institucional.
Universiteti mbetet i përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në arsim, avancimin e standardeve akademike dhe institucionale, si dhe në krijimin e një mjedisi universitar që mbështet zhvillimin akademik, kërkimin shkencor dhe suksesin e studentëve.