KQSC zhvillon takimin e radhës dhe shqyrton çështje të rëndësishme për sigurimin e cilësisë në UFAGJ
Komisioni Qendror për Sigurimin e Cilësisë i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë zhvilloi takimin e radhës, në të cilin u trajtuan një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me avancimin e proceseve të sigurimit dhe përmirësimit të cilësisë në Universitet.
Në fillim të takimit, u mirëpritën anëtarët e rinj të KQSC-së, të cilëve iu dorëzua Doracaku për Politikat e Sigurimit të Cilësisë në UFAGJ, me qëllim orientimin dhe informimin e tyre lidhur me kuadrin institucional dhe proceset e sigurimit të cilësisë.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua raporteve të sigurimit të cilësisë dhe proceseve të përmirësimit në njësitë akademike. U analizua Raporti i Semestrit Dimëror 2025/2026 për Fakultetin e Edukimit, si dhe u diskutua për progresin në përgatitjen e raporteve të njësive të tjera akademike. Gjithashtu, u shqyrtuan rekomandimet e Komisionit të Sigurimit të Cilësisë për Fakultetin e Edukimit dhe plani i përmirësimit, si dhe progresi në përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raportet e brendshme të sigurimit të cilësisë në të gjitha njësitë akademike.
Në kuadër të vlerësimit institucional, KQSC analizoi dhe miratoi raportet përmbledhëse të vlerësimit të studentëve të diplomuar nga punëdhënësit për vitin 2025, të vlerësimit të stafit akademik ndaj administratës dhe shërbimeve, si dhe të vlerësimit të stafit akademik ndaj kushteve të punës.
Po ashtu, u shqyrtua performanca e stafit akademik për vitin akademik 2024/2025 në të gjitha njësitë akademike dhe u miratuan rekomandimet që do t’i përcillen Senatit për shqyrtim dhe veprim të mëtejmë.
Në fokus të takimit ishte edhe përfshirja e grupeve të nënpërfaqësuara të studentëve në proceset e sigurimit të cilësisë. KQSC shqyrtoi kërkesën e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë për miratimin e dy instrumenteve të reja të vlerësimit: pyetësorit për studentët me nevoja të veçanta dhe pyetësorit për studentët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Gjatë takimit u dha edhe një pasqyrë mbi ecurinë e procesit të riakreditimit institucional dhe të programeve akademike në proces riakreditimi dhe akreditimi, si dhe u diskutuan proceset pasakredituese dhe monitoruese në UFAGJ.
Në vijim, anëtarët u njoftuan për fillimin e procesit të shpërndarjes së pyetësorëve të vlerësimit për vitin akademik 2025/2026, si një nga mekanizmat kryesorë për mbledhjen, analizimin dhe shfrytëzimin e feedback-ut të studentëve në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte iniciativa për vendosjen dhe shpërndarjen e pyetësorit me QR kod në hapësirat e Universitetit, me mbishkrimin “Zëri Juaj, Veprimi Ynë”. Instrumenti synon t’u mundësojë studentëve dhe stafit që, në mënyrë të vazhdueshme, të përcjellin sugjerime, kërkesa dhe rekomandime për përmirësimin e shërbimeve dhe proceseve në UFAGJ. Pas diskutimit fillestar, u vendos që kjo çështje të rikthehet për shqyrtim dhe diskutim të mëtejshëm në mbledhjen e radhës të KQSC-së.
Takimi u përmbyll me diskutime për çështje të ndryshme, me theks në forcimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë, ndjekjen e rekomandimeve dhe konsolidimin e një kulture të qëndrueshme të përmirësimit të vazhdueshëm në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.