UFAGJ vazhdon punën për finalizimin e Planit Strategjik 2026–2030

UFAGJ vazhdon punën për finalizimin e Planit Strategjik 2026–2030

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, me përkrahjen e Programit SHER, më 23 korrik 2026, në Sallën e Senatit, mbajti punëtorinë njëditore në kuadër të procesit të hartimit të Planit Strategjik të UFAGJ-së për periudhën 2026–2030.

Kjo punëtori paraqet vazhdimësi të procesit të filluar gjatë punëtorisë dyditore të mbajtur më 14 dhe 15 maj 2026, në Hotel “Sharri” në Prevallë, ku përfaqësuesit e menaxhmentit universitar, stafit akademik dhe administrativ, studentëve, MAShTI-t, shoqërisë civile dhe industrisë kontribuuan në analizimin e gjendjes aktuale të Universitetit dhe në përcaktimin e orientimeve kryesore strategjike.

Gjatë punëtorisë së mbajtur më 23 korrik, grupi punues vazhdoi me shqyrtimin, plotësimin dhe harmonizimin e dokumentit strategjik, duke u përqendruar në objektivat strategjike, aktivitetet konkrete, treguesit e matshëm të performancës, afatet e realizimit dhe përcaktimin e njësive përgjegjëse për zbatimin e tyre.

Vëmendje e veçantë iu kushtua avancimit të cilësisë në mësimdhënie dhe të nxënit, zhvillimit të kërkimit shkencor, modernizimit të programeve të studimit, ndërkombëtarizimit, digjitalizimit, bashkëpunimit me komunitetin dhe fuqizimit të kapaciteteve institucionale të Universitetit.

Procesi i hartimit të Planit Strategjik është zhvilluar mbi bazën e metodologjisë së prezantuar në punëtorinë fillestare nga eksperti i Programit SHER, Prof. Dr. Bujar Pira, si dhe të kontributeve të ofruara nga akterët e brendshëm dhe të jashtëm të Universitetit.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë shpreh falënderim të veçantë për Programin SHER për bashkëpunimin e vazhdueshëm, përkrahjen profesionale dhe kontributin e çmuar gjatë të gjitha fazave të hartimit të Planit Strategjik 2026–2030. Programi SHER financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Gjithashtu, Universiteti falënderon të gjithë anëtarët e grupit punues dhe pjesëmarrësit e tjerë për angazhimin, bashkëpunimin dhe kontributin e tyre profesional në zhvillimin e një dokumenti strategjik gjithëpërfshirës, të realizueshëm dhe të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm akademik, shkencor dhe institucional.

Plani Strategjik 2026–2030 do të shërbejë si dokumenti kryesor orientues për zhvillimin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë gjatë pesë viteve të ardhshme, duke përcaktuar prioritetet, objektivat dhe veprimet konkrete për avancimin e mëtejmë të Universitetit.

Fotot e lajmit

tp-bottom