UFAGJ fuqizon ndërkombëtarizimin përmes bashkëpunimit me Universitetin “Gabriele d’Annunzio” të Chieti-Pescara (Itali)

UFAGJ fuqizon ndërkombëtarizimin përmes bashkëpunimit me Universitetin “Gabriele d’Annunzio” të Chieti-Pescara (Itali)

Gjakovë, 19.05.2026

Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u zhvillua një takim i rëndësishëm ndërmjet Rektorit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, dhe Presidentit të Programit të Infermierisë në Universitetin “Gabriele d’Annunzio” të Chieti-Pescara, Prof. Dr. Giancarlo Cicolini.

Në takim morën pjesë edhe u.d. Dekanja e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, Prof. Dr. Sindorela Doli-Kryeziu, u.d. Sekretarja e Përgjithshme, znj. Nita Pruthi, si dhe Zyrtarja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, znj. Freskina Mula-Ermeni. Ky bashkëpunim u mbështet nga iniciatorët, z. Alban Hoti dhe z. Bledar Balla, të cilët kontribuuan në krijimin e urave të para të komunikimit ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në krijimin e një programi të përbashkët “Double Degree” në fushën e Infermierisë ndërmjet dy universiteteve. Ky bashkëpunim synon avancimin e cilësisë akademike, ndërkombëtarizimin e programeve studimore, si dhe shkëmbimin e përvojave profesionale dhe shkencore ndërmjet stafit akademik dhe studentëve.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u shqyrtua gjithashtu mundësia e angazhimit të profesorëve nga sektori MEDS-24/C i universitetit partner, të cilët do të kontribuonin në procesin mësimor përmes ligjëratave online, në përputhje me autorizimet dhe procedurat përkatëse akademike.

Palët u dakorduan që në ditët në vijim të procedohet me nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërinstitucional, e cila do të formalizojë partneritetin dhe do të hapë rrugën për zhvillimin e programit të përbashkët të studimeve.

Menaxhmenti i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar në zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me universitete prestigjioze evropiane.

Fotot e lajmit

tp-bottom