Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mban punëtorinë dyditore për hartimin e Planit Strategjik 2026–2030
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, me përkrahjen e Programit SHER, më 14 dhe 15 maj ka mbajtur një punëtori dyditore për hartimin e Planit Strategjik 2026–2030. Punëtoria u zhvillua në Hotel SHARRI në Prevallë, me pjesëmarrjen e menaxhmentit universitar, stafit akademik dhe administrativ, studentëve, si dhe përfaqësuesve të MAShTI-t, shoqërisë civile dhe industrisë.
Punëtorinë e hapi Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Drilon Bunjaku, i cili theksoi rëndësinë e hartimit të një strategjie gjithëpërfshirëse dhe afatgjate, e cila do të shërbejë si bazë për zhvillimin institucional të universitetit në pesë vitet e ardhshme. Ai potencoi se procesi strategjik synon avancimin e cilësisë në mësimdhënie, kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin dhe fuqizimin e rolit të universitetit në shërbim të komunitetit.
Me një fjalë rasti, të pranishmit i përshëndeti edhe përfaqësuesi i Projektit SHER, z. Nehat Dervishi, i cili konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme që Programi SHER u ka ofruar të gjitha institucioneve publike të arsimit të lartë në Kosovë në procesin e hartimit të planeve strategjike dhe përgatitjeve për akreditim institucional. Ai gjithashtu theksoi mbështetjen konkrete që program SHER është duke i ofruar Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet menaxhmentit të universitetit dhe udhëheqësisë së programit SHER i cili finacohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës.
Të pranishmit u përshëndetën nga Kryesuesja e Këshillit Drejtues të UFAGJ-së, znj. Majlinda Haxhikadrija Ramadani, si dhe përfaqësuesi i MASH-it, z. Bekim Samadraxha, të cilët vlerësuan rëndësinë e planifikimit strategjik për zhvillimin dhe avancimin e arsimit të lartë në Kosovë.
Në kuadër të punëtorisë, eksperti i Programit SHER, Prof. Dr. Bujar Pira, prezantoi metodologjinë e zhvillimit të planit strategjik dhe udhëhoqi diskutimet mbi analizën e gjendjes aktuale të universitetit, identifikimin e prioriteteve strategjike dhe përcaktimin e objektivave zhvillimore.
Gjatë sesioneve të punës, pjesëmarrësit kontribuan në grupe tematike për të zhvilluar analizën SWOT, për të diskutuar vizionin, misionin dhe vlerat institucionale, si dhe për të identifikuar treguesit kryesorë të performancës dhe mekanizmat e implementimit të strategjisë së re.
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Drilon Bunjaku, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar në hartimin e një dokumenti të rëndësishëm strategjik për universitetin, duke theksuar se përfshirja e gjerë e akterëve institucionalë dhe partnerëve të jashtëm është thelbësore për ndërtimin e një vizioni të qëndrueshëm dhe zhvillimor për UFAGJ-në.
Hartimi i Planit Strategjik 2026–2030 paraqet një proces të rëndësishëm për Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, me synim fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe orientimin drejt zhvillimit të qëndrueshëm akademik dhe shkencor.