Ardit Halilaj- Zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në komunën e Rahovecit
Ardit Halilaj u lind në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në ShFMU “Mustafë Ibishi” në fshatin Guri i Kuq dhe Kramovik në Komunën e Rahovecit, të mesmen e kreu në ShML “12 Maji” në Ratkoc, në drejtimin Shkenca Natyrore. Studimet e nivelit baçelor i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë në drejtimin Gjuhë Shqipe në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë. Më pas kreu studimet master në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë dhe mori titullin “Master i Shkencave për Mësimdhënien e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë”. Përgjatë studimeve është marrë me aktivitete studentore, themelues i organizatës studentore “Bashkimi Studentor Fehmi Agani”, të cilën e drejtoi deri në përfundim të studimeve, ku përmes saj përfaqësoi studentët në Parlamentin Studentor dhe në Senat. Arditi ka shkathtësi të mira organizative dhe pasion për punë vullnetare, në vitin 2016 u bë pjesë e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës. Më pas, në vitin 2018 themeloi degën e Kuvendit të të Rinjve të Rahovecit. Ai ka marrë pjesë në punime dhe publikime në revista shkencore që e pasurojnë nivelin akademik. Po ashtu, ka kryer një sërë trajnimesh, punëtori, seminare, tryeza, konferenca ndërkombëtare dhe kombëtare.
Ka punuar në Agjencinë e Statistikave të Kosovës në Regjistrimin e Bujqësisë 2014 dhe Regjistrues i Anketës Bujqësore në vitin 2019. Në vitin 2018 për tre muaj punoi në bibliotekën e Fakultetit të Mjekësisë dhe 1 (një) vit në Senatin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Pas përfundimit të studimeve master, kreu punë praktikë në Administratën Qendrore të UFAGj-së. Në vitin 2021, Arditi punoi si Konsulent për Protokoll dhe Informim në Administratën Qendrore të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Në muajin shkurt të vitit 2023, u punësua në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Komunën e Rahovecit, si Zyrtar për Arsimin e Mesëm të Lartë. Nga dhjetori i vitit 2023, emërohet Zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në kabinetin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, ku edhe aktualisht punon.