
U mbajt sesion informues për projektet dhe bursat e programit Erasmus+
Me 14.12.2023 në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u mbajt sesion informues për projektet dhe bursat e organizuar nga Zyra Erasmus+ Kosovë, në të cilën morën pjesë stafi dhe studentët.
Fillimisht Znj. Mimika Dobroshi dhe Znj. Blerina Zijaqa, përfaqësueset e programit Erasmus+ në Kosovë, janë pritur në rektorat nga Rektori Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, së bashku me dy prorektorët Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi dhe Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku.
Gjatë sesionit zyrtaret e Erasmus+ në Kosovë njoftuan se thirrja për aplikim është aktualisht e hapur. Ato prezantuan gjithashtu mundësitë që ofron thirrja e programit Erasmus+ për vitin 2024 në institucionet e arsimit të lartë. Kjo thirrje përfshin:
-
Erasmus+ KA1: Shkëmbimet afatshkurtra për Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL-të) (ICM); mobilitetin e gradave (Erasmus Mundus Joint Masters & Design Measures).
-
Erasmus+ KA2: Ndërtimin e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë (CBHE); Jean Monnet; Shkëmbimet Virtuale në Arsimin e Lartë; Karten Erasmus+ për Arsimin e Lartë (ECHE) – Aleancat e Universiteteve Evropiane.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ndarja e informacionit në lidhje me rregullat dhe procedurat e aplikimit në Programin Erasmus+.
Programi Erasmus+ ofron mbështetje në fushat e edukatës, trajnimit, rinisë dhe sportit.
Në përfundimit të takimit, u organizua një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh, ku u shpërndanë gjithashtu shumë informacione rreth programit Erasmus.