Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë e vizitojnë drejtuesit e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim

Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë e vizitojnë drejtuesit e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim

Më 08 tetor 2021 (e premte), menaxhmenti i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, i kryesuar nga rektori, prof. ass. dr. Artan Nimani, ka pritur sot në takim kryesuesen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, prof. ass. dr. Hasnije Ilazi, drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi, dhe anëtaren e KShC-së, profesoreshën Krenare Pireva Nuçi.

Rektori Nimani i njoftoi të pranishmit për zhvillimet në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, lidhur me akreditimin e programeve studimore dhe strategjitë e UFAGj-së në sigurimin dhe ngritjen e cilësisë. Ai shprehu gatishmërinë që të bashkëpunojë ngushtë me AKA-në dhe KShC-në në drejtim të sigurimit të cilësisë dhe plotësimin e standardeve të nevojshme. Po ashtu, shprehu falënderim për përkushtimin dhe kontributin e stafit të AKA-së dhe KShC-së në procesin e ri/akreditimit.

Në anën tjetër, kryetarja e KShC-së,  prof. ass. dr. Hasnije Ilazi theksoi që KShC-ja është duke punuar në ri-definimin e standardeve ekzistuese të cilësisë për institucionet e arsimit të lartë, ndërkaq vuri në pah rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërmjet tyre dhe UFAGJ-së për ngritjen e standardeve të arsimit të lartë në vend. Ajo tha se aktualisht janë duke ndodhur shumë zhvillime pozitive në AKA, siç është draftimi i Ligjit për AKA-në, Plani Strategjik trevjeçar, krijimi i metodologjisë së re të monitorimit të IAL-ve, zhvillimi i standardeve të reja të akreditimit, ri/akreditimit dhe validimit të programeve akademike, etj. Ndërsa, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi, theksoi përkushtimin e menaxhmentit të UFAGj-së, i cili ka qenë shembull i bashkëpunimit dhe përgëzoi për arritjet në ri/akreditimin e 9 programeve studimore.

Gjatë takimit, ndër të tjerash, u diskutua për projekte të cilat i ndihmojnë rrugëtimin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë në aspektin e sigurimit të cilësisë, si dhe për zhvillimin e standardeve të reja.

Gjatë vizitës në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, drejtuesit e KShC-së dhe AKA-së janë takuar edhe me përfaqësuesit e studentëve, të cilët kanë dhënë idetë e tyre për zhvillimin e sistemit të arsimit të lartë.

Fotot e lajmit

tp-bottom