Mbahet mbledhja e radhës së Senatit të UFAGJ-së

Mbahet mbledhja e radhës së Senatit të UFAGJ-së

Gjakovë, 03.06.2026

Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u mbajt mbledhja e radhës e Senatit, në të cilën u trajtuan çështje të rëndësishme me interes institucional dhe akademik.

Mbledhja u kryesua nga Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Senatit. Gjatë mbledhjes u diskutuan dhe u shqyrtuan pika të rëndësishme të rendit të ditës, të cilat lidhen me funksionimin e rregullt akademik, zhvillimin institucional dhe avancimin e proceseve brenda Universitetit.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje, Senati shqyrtoi dhe miratoi kalendarin akademik, si dokument të rëndësishëm për organizimin dhe planifikimin e aktiviteteve mësimore, administrative dhe akademike. Gjatë shqyrtimit të kalendarit, u koordinuan edhe datat e organizimit të afatit të qershorit dhe afatit të shtatorit, me qëllim të sigurimit të një planifikimi sa më të mirë dhe të harmonizuar për studentët, stafin akademik dhe njësitë akademike.

Po ashtu, Senati shqyrtoi dhe miratoi kërkesat e njësive akademike lidhur me konkursin për emërim, riemërim dhe avancim të stafit akademik, në përputhje me nevojat e njësive akademike dhe procedurat përkatëse institucionale.

Në frymën e bashkëpunimit institucional dhe koordinimit të brendshëm, gjatë mbledhjes u diskutua edhe lidhur me vizitat pasakredituese të ekspertëve, në kuadër të akreditimit institucional dhe të disa programeve të studimit që janë në të njëjtin proces. Me këtë rast u theksua rëndësia e përgatitjes së duhur institucionale, bashkëpunimit ndërmjet njësive akademike dhe përmbushjes së standardeve të kërkuara në proceset e akreditimit.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e vendimmarrjes së përgjegjshme, transparente dhe në funksion të ngritjes së cilësisë në mësimdhënie dhe zhvillim institucional.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar në forcimin e proceseve akademike dhe administrative, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm institucional dhe përmbushjes së misionit të tij në arsimin e lartë.

tp-bottom