Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe OJQ EDUTASK
Gjakovë 12 Mars, 2026
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, (UFAGJ), ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit (MoU) me organizatën joqeveritare EDUTASK, duke vendosur një bazë të re bashkëpunimi në fushën e arsimit, zhvillimit profesional dhe realizimit të iniciativave të përbashkëta me interes për studentët dhe komunitetin akademik.
Qëllimi i këtij memorandumi është zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe në fuqizimin e kapaciteteve profesionale të studentëve. Në kuadër të këtij bashkëpunimi pritet të organizohen trajnime, seminare, punëtori, projekte kërkimore dhe iniciativa të tjera që lidhen me zhvillimin akademik dhe profesional.
Përmes këtij partneriteti, UFAGJ dhe EDUTASK synojnë të promovojnë inovacionin në arsim, të shkëmbejnë përvoja dhe praktika të mira, si dhe të krijojnë mundësi të reja për përfshirjen aktive të studentëve në projekte dhe aktivitete me ndikim në komunitet.
Në lidhje me këtë rast Rektori Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku theksoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve të studentëve tanë në lidhje me temat të cilat kanë të bëjnë me orientimin e tyre në karrierë dhe aftësive të cilat janë të nevojshme për tregun e punës. Ndërsa, nga na tjetër përfaqësuesja e OJQ së EDUTAS, Okarina Gojani tregoi aktivitetet e projektit të cilat përkojnë me ngritjen e kapaciteteve të studentëve ne komunat e Gjakovës, Vitisë, Mitrovicës së Jugut dhe asaj Veriore. Nga këto komuna do të përzgjidhen nga 20 studentë të cilët do të marrin pjesë në një cikël trajnimesh, aktiviteteve të rrjetëzimit dhe iniciativave të projekteve të vogla. Poashtu, përfaqësuesit e të dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe organizatave të shoqërisë civile për zhvillimin e iniciativave që kontribuojnë në avancimin e arsimit dhe në përgatitjen më të mirë të tyre në qëndrueshmërinë profesionale. Ky takim u përmbyll me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të dy palëve.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim të krijimit të mundësive të reja për zhvillim akademik, profesional dhe shoqëror për studentët dhe stafin e tij.