Shënohet 13-vjetori i themelimit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë – promovohet monografia për themelimin e Universitetit Publik në Gjakovë

Shënohet 13-vjetori i themelimit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë – promovohet monografia për themelimin e Universitetit Publik në Gjakovë

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë shënoi 13-vjetorin e themelimit të tij me një aktivitet solemn të organizuar në sallën e Rektoratit, ku u promovua monografia “Themelimi i Universitetit Publik në Gjakovë – Kontributi i Shoqatës së Intelektualëve ‘Jakova’”, me autor z. Malush Tullumi.

Aktiviteti u organizua nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, në bashkëpunim me Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, staf akademik e administrativ, studentë, si dhe një numër i madh anëtarësh të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, të cilët me përkushtimin dhe angazhimin e tyre ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin arsimor, kulturor dhe intelektual të qytetit të Gjakovës. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe familjarë të akademikëve dhe intelektualëve që kontribuuan në themelimin e saj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, theksoi se kjo ditë përfaqëson një moment të rëndësishëm reflektimi mbi rrugëtimin dhe zhvillimin e universitetit ndër vite. Ai tha se shënimi i përvjetorit të universitetit bëhet edhe më i veçantë për faktin se në këtë ditë promovohet një monografi që dokumenton kontributin e intelektualëve të qytetit në procesin e themelimit të universitetit publik në Gjakovë.

Rektori Bunjaku theksoi se përpjekjet për themelimin e universitetit kanë qenë rezultat i një angazhimi të përbashkët institucional dhe qytetar, duke nënvizuar se fakti që universiteti mban emrin e akademikut Prof. Dr. Fehmi Agani, një personalitet që ia kushtoi jetën dijes, paqes dhe çështjes kombëtare, obligon të gjithë që me përkushtim të vazhdojnë zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të universitetit si institucion i dijes, kërkimit shkencor dhe shërbimit ndaj shoqërisë.

Në vijim, Rektori Bunjaku theksoi se ky përvjetor e gjen universitetin edhe me një zhvillim të ri institucional, përkatësisht me Fakultetin e Shkencave Aplikative, ku ofrohet programi i Informatikës Inxhinierike. Ai theksoi se përmes këtij fakulteti UFAGj po kontribuon drejtpërdrejt në përgatitjen e profesionistëve të rinj në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inxhinierisë, duke iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimeve të shpejta teknologjike të kohës. Ai gjithashtu theksoi se gjatë këtyre 13 viteve UFAGj është shndërruar në një qendër të rëndësishme të arsimit të lartë dhe të përgatitjes së profesionistëve në fusha të ndryshme akademike, duke kontribuar në zhvillimin arsimor dhe shoqëror të vendit. 

Për fund Rektori Bunjaku, ju uroj të gjithë studentëve, stafit akademik dhe administrativ Ditën e Universitetit, me shpresën që përvjetorët e ardhshëm ta gjejnë UFAGj çdo herë e më të fortë në rolin e tij institucional dhe në përmbushjen e misionit për zhvillimin e dijes, avancimin e kërkimit shkencor dhe kontributin në shoqëri.

Në fund të fjalës së tij, Rektori Bunjaku uroi të gjithë studentët, stafin akademik dhe administrativ për Ditën e Universitetit, duke i falënderuar për punën dhe përkushtimin e treguar ndër vite, me shpresën që përvjetorët e ardhshëm ta gjejnë UFAGj çdo herë e më të fortë në rolin e tij institucional dhe në përmbushjen e misionit për zhvillimin e dijes, avancimin e kërkimit shkencor, forcimin e bashkëpunimit akademik dhe kontributin në zhvillimin e shoqërisë.

Më tej, Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, theksoi rëndësinë e dokumentimit të historisë së përpjekjeve për themelimin e universitetit në Gjakovë, duke vlerësuar se kjo monografi përbën një dëshmi të rëndësishme për rolin e intelektualëve dhe të komunitetit në zhvillimin arsimor të rajonit.

Gjatë promovimit, redaktori i monografisë z. Emin Azemi dhe recensentët e veprës elaboruan përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij botimi, duke theksuar se monografia paraqet një dokument të rëndësishëm historik dhe akademik që dëshmon rrugëtimin institucional dhe qytetar drejt themelimit të universitetit publik në Gjakovë. Në vlerësimet e tyre u theksua se libri është i bazuar në dokumente arkivore, dëshmi dhe analiza që paraqesin në mënyrë kronologjike përpjekjet dhe iniciativat që çuan drejt realizimit të këtij projekti arsimor.

Autori i monografisë, z. Malush Tullumi, falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët, institucionet dhe intelektualët që kontribuuan në realizimin e kësaj vepre, duke theksuar se dokumentimi i historisë së themelimit të universitetit përbën një obligim moral dhe akademik për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Të pranishmit u përshëndetën me një fjalë rasti edhe nga ish-kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Prof. Ass. Dr. Ardian Gola, i cili vlerësoi lart kontributin e intelektualëve dhe uroi 13-vjetorin e themelimit të Universitetit "Fehmi Agani" në Gjakovë.

Ceremonia u përmbyll me dhurimin e disa ekzemplarëve të monografisë nga autori për Rektorin, të cilat do të jenë pjesë e fondit të bibliotekës së Universitetit.

Fotot e lajmit

tp-bottom