Zyra për Sigurimin e Cilësisë përmbyll kampanjën ‘Pjesëmarrja e Studentëve në Vlerësimin e Cilësisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë
Me miratimin e Komisionit Qendror për Sigurimin e Cilësisë, Zyra për Sigurimin e Cilësisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë ka realizuar me sukses kampanjën për vetëdijësimin e studentëve lidhur me pjesëmarrjen e tyre në procesin e vlerësimit të brendshëm të cilësisë.
Aktiviteti është zhvilluar gjatë periudhës 15–22 dhjetor 2025, në formë sesionesh informuese në të gjitha fakultetet e UFAGJ-së. Qëllimi kryesor i kësaj kampanje ishte informimi dhe ndërgjegjësimi i studentëve mbi rëndësinë e sigurimit të cilësisë, rolin e tyre aktiv në këtë proces, si dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që ka plotësimi i pyetësorëve në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë akademike dhe institucionale.
Gjatë sesioneve informuese, u.d. udhëheqësja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, Qëndresa Bardhoshi, në bashkëpunim me kryesuesit dhe studentët e Komisioneve për Sigurimin e Cilësisë në fakultete, prezantoi:
- procesin e sigurimit të cilësisë në UFAGJ;
- llojet e pyetësorëve që shpërndahen gjatë vitit akademik;
- rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të studentëve;
- mënyrën e përdorimit të rezultateve të pyetësorëve për përmirësimin e programeve studimore dhe shërbimeve universitare;
- anonimitetin e plotë të pyetësorëve.
Në secilin fakultet u zhvillua një bashkëbisedim i hapur me studentët, ku ata patën mundësi të parashtrojnë pyetje, si dhe të shprehin mendimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me procesin e sigurimit të cilësisë.
Në kuadër të aktivitetit u bë edhe shpërndarja e fletushkave dhe posterëve informues. Me qëllim të optimizimit të shpenzimeve dhe rritjes së qasjes së studentëve në informacion, fletushkat u pajisën me QR kode, ndërsa materialet informuese u publikuan edhe në ueb-faqen zyrtare të Zyrës për Sigurimin e Cilësisë.
Aktiviteti kishte pjesëmarrje dhe interesim të kënaqshëm të studentëve, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e vetëdijes së tyre për rolin që kanë në sigurimin dhe përmirësimin e cilësisë në UFAGJ.
Kjo kampanjë u realizua në prag të periudhës së vlerësimit nga studentët për semestrin dimëror të vitit akademik 2025/2026, me fokus të veçantë informimin e studentëve të vitit të parë, të cilët për herë të parë bëhen pjesë e procesit të vlerësimit të cilësisë.