Konferenca e Rektorëve mban mbledhjen përmbyllëse për vitin 2025 në UFAGJ
23 dhjetor 2025, Gjakovë
Në University 'Fehmi Agani' in Gjakova (UFAGJ) u mbajt sot mbledhja përmbyllëse për vitin 2025 e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, duke shënuar një moment të rëndësishëm të koordinimit institucional dhe planifikimit strategjik në arsimin e lartë publik.
Takimi u zhvillua nën kryesimin e Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, i cili aktualisht ushtron detyrën e kryesuesit të Konferencës së Rektorëve. Diskutimet u karakterizuan nga fryma e bashkëpunimit institucional dhe përkushtimi i përbashkët për forcimin e qeverisjes universitare, sigurimin e cilësisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit universitar në Republikën e Kosovës.
Gjatë mbledhjes, u trajtuan në mënyrë të thelluar çështje me rëndësi strategjike, me fokus të veçantë në proceset e ri-akreditimit institucional në universitetet që kanë kaluar këtë fazë gjatë vitit 2025. U theksua nevoja për harmonizimin e qasjeve, shkëmbimin e praktikave të mira dhe koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet universiteteve publike dhe institucioneve relevante, me qëllim të garantimit të standardeve akademike dhe forcimit të besimit në qeverisjen universitare.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu rritjes së komponentës shkencore dhe kërkimore në universitetet publike, si dhe ngritjes së kapaciteteve institucionale për përballimin me sukses të proceseve të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë. Në këtë kontekst, u riafirmua rëndësia e bashkëpunimit ndëruniversitar si parakusht për zhvillimin afatgjatë të arsimit të lartë publik.
Temë e veçantë e diskutimit ishte edhe çështja e Sistemeve Universitare të Menaxhimit (SMU). Rektorët theksuan se modeli aktual i ofruar për universitetet publike paraqet kosto të larta financiare dhe nuk është plotësisht i përshtatshëm me nevojat reale akademike dhe administrative. U theksua domosdoshmëria që zgjidhjet e SMU-së të zhvillohen dhe përshtaten gradualisht brenda vetë universiteteve, duke reflektuar specifikat, kapacitetet dhe qëndrueshmërinë financiare të secilit institucion.
Në këtë mbledhje morën pjesë drejtuesit dhe përfaqësuesit e institucioneve publike të arsimit të lartë në Kosovë, përfshirë: Prof. asoc. dr. Mentor Alishani – Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. dr. Armand Krasniqi – Universiteti “Haxhi Zeka” Pejë, Prof. asst. dr. Drilon Bunjaku – Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. dr. Agron Bajraktari – Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, si dhe Prof. dr. Mihone Kerolli Mustafa – Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit – Mitrovicë. Universiteti i Prishtinës u përfaqësua nga Prof. dr. Avni Hajdari, Prorektor për Kërkime Shkencore, Projekte dhe Inovacion.
Në përmbyllje të takimit, u dakordua dinamika e punës së Konferencës së Rektorëve për periudhën në vijim dhe u bënë planifikimet për mbledhjen e radhës, me fokus në adresimin e sfidave të përbashkëta dhe harmonizimin e proceseve akademike në nivel kombëtar.