Përfaqësues të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë morën pjesë në takim informues të organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim
Më datë 12.12.2025, përfaqësues të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, përfshirë Dekanë, Prodekanë, bartës të programeve studimore dhe përfaqësuesja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, morën pjesë në një takim informues të organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), lidhur me Procedurat Pas-Akredituese dhe Planet e Zbatimit të Rekomandimeve.
Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e zbatimit të Rregullores nr. 04/2025 për Monitorim dhe Procedura Pas-Akredituese, si dhe domosdoshmëria e implementimit të planeve të përmirësimit të dorëzuara në AKA me rastin e akreditimit apo riakreditimit të programeve studimore dhe institucioneve të arsimit të lartë.
Përfaqësuesit e AKA-së për Monitorim dhe Procedura Pas-Akredituese prezantuan para të pranishmëve metodologjinë, afatet dhe hapat kryesorë të procedurave pas-akredituese, analizuan të dhënat e nxjerra nga planet e zbatimit të rekomandimeve të dorëzuara dhe ofruan udhëzime konkrete për zbatimin e këtyre procedurave në praktikë.
Bazuar në diskutimet e zhvilluara gjatë takimit, u theksua nevoja që institucionet e arsimit të lartë t’i kushtojnë rëndësi të veçantë Planeve të Përmirësimit (Planeve të Zbatimit të Rekomandimeve) për secilin program studimor, duke përcjellë në mënyrë të vazhdueshme implementimin e rekomandimeve të dhëna nga ekspertët ndërkombëtarë në raportet e akreditimit/riakreditimit. U nënvizua gjithashtu se raporti mbi implementimin e këtyre rekomandimeve do të jetë pjesë e domosdoshme e dosjes për aplikim për akreditim/riakreditim të programeve studimore dhe riakreditimit institucional. Gjithashtu ky plan me progresin e arritur në implementim do të kërkohet edhe gjatë vizitave pas akredituese nga ekspertët në IAL.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e të gjitha aktiviteteve që kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të Institucionit tonë, si dhe në aktivitetet që kontribuojnë në promovimin e kulturës së cilësisë dhe vetëpërmirësimit.