Përvjetori i parë nga vënia e gurëthemelit të Kampusit Universitar: Punimet në ndërtimin e Objektit të Fakultetit të Mjekësisë avancojnë dukshëm

Përvjetori i parë nga vënia e gurëthemelit të Kampusit Universitar: Punimet në ndërtimin e Objektit të Fakultetit të Mjekësisë avancojnë dukshëm

Gjakovë, 09 dhjetor 2025

Sot shënohet një vit nga dita historike e vendosjes së gurëthemelit të Objektit të Fakultetit të Mjekësisë, në Kampusin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Rikujtojmë që më 09 dhjetor 2024 nisi zyrtarisht realizimi i një projekti strategjik dhe afatgjatë për Universitetin, ndërtimi i objektit të parë të kampusit modern, një projekt që për shumë vite ka qenë synim i komunitetit akademik dhe i institucioneve të arsimit të lartë në Gjakovë.

Gjatë këtij viti, punimet ndërtimore kanë shënuar progres të qartë dhe të prekshëm në secilën lamele:

  • Në Lamelen A dhe B, është ndërtuar kati i parë dhe i dytë, duke krijuar tashmë strukturën vertikale të objektit.
  • Në Lamelen C, janë përfunduar themelet, të cilat përgatisin bazën për ngritjen e mëtejshme të ndërtesës.
  • Në Lamelen D, është realizuar shtrimi i bazamentit të betonit, duke krijuar terrenin e nevojshëm për fazat pasuese të konstruksionit.

Ky progres tregon se projekti po ecën me dinamikë të rregullt dhe në përputhje me standardet teknike dhe afatet e parapara. Objekti i ri i Fakultetit të Mjekësisë do të sjellë infrastrukturë moderne, laboratorë të avancuar dhe ambiente bashkëkohore për mësimdhënie dhe kërkim shkencor, duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme kushtet e studimit dhe zhvillimit profesional të studentëve.

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, ka vlerësuar lartë angazhimin institucional që ka mundësuar realizimin e deritanishëm të projektit. “Për vetëm një vit kemi arritur rezultate të prekshme në ndërtimin e Kampusit dhe kemi vendosur bazat për vazhdimësinë e sigurt të punimeve. Ky është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e studentëve tanë, në cilësinë e arsimit dhe në zhvillimin e qytetit,” u shpreh ai.

Rektori ka adresuar mirënjohje të veçantë ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për rolin e saj udhëheqës në këtë proces:
“Falënderojmë MAShTI-n për udhëheqjen profesionale të procesit të prokurimit dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të punimeve të ndërtimit të Kampusit. Një falënderim i veçantë shkon për Ministren e MAShTI-t, Znj. Arbërie Nagavci, për bashkëpunimin, mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e treguar për Universitetin ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë gjatë gjithë këtij projekti madhor.”

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar që punimet të vazhdojnë me transparencë, cilësi dhe ritme të larta deri në finalizimin e plotë të objektit. Ky përvjetor shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin drejt ndërtimit të një kampusi modern universitar dhe në forcimin e kapaciteteve të UFAGj-së si institucion me vizion të qartë dhe ambicie për të ardhmen.

tp-bottom