Rektori Bunjaku përfaqëson UFAGj në Central European Joint Infoday 2025 në Brno

Rektori Bunjaku përfaqëson UFAGj në Central European Joint Infoday 2025 në Brno

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGj), Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, po përfaqëson UFAGj në Central European Joint Infoday 2025, një ngjarje ndërkombëtare e rëndësishme që po zhvillohet më 1–2 dhjetor 2025 në Brno, Republikën Çeke. Ky seminar prestigjioz mbledh së bashku përfaqësues nga institucione të arsimit të lartë nga Evropa Qëndrore dhe nga vende partnere jashtë BE-së, me synim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.

Pjesëmarrja e UFAGj në këtë aktivitet i ofron universitetit mundësi të drejtpërdrejta për zgjerimin e rrjetëzimit me universitete dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe për të eksploruar mundësi të reja të projekteve në kuadër të programit Erasmus+, veçanërisht në thirrjen 2026.

Gjatë seminarit trajtohen tre shtyllat kryesore të komponentëve ndërkombëtarë të programit Erasmus+:

  • Erasmus Mundus (Joint Masters dhe Design Measures),
  • Capacity Building in Higher Education,
  • Jean Monnet (Chairs, Modules, Centres of Excellence dhe Networks).

Rektori Bunjaku ka shprehur falënderimin e tij për Zyrën Erasmus+ në Kosovë, veçanërisht për Znj. Mimika Dobroshi, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e Universiteteve Kosovare të përfaqësohen në aktivitete të tilla ndërkombëtare. Poashtu, ka theksuar se UFAGj mbetet i përkushtuar t’i hapë rrugë partneriteteve të reja, të krijojë ura bashkëpunimi dhe të zgjerojë mundësitë e mobilitetit dhe zhvillimit akademik për studentët dhe stafin. Pjesëmarrja në këtë seminar përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të dimensionit ndërkombëtar të universitetit dhe rritjes së prezencës së tij në skenën akademike evropiane.

Ngjarja e sivjetshme paraqet një risi me përfshirjen e 18 institucioneve të arsimit të lartë nga Kolumbia, Kosova dhe Malajzia, duke e bërë këtë edicion veçanërisht dinamik dhe gjithëpërfshirës. Vlen të potencohet se në aktivitet po marrin pjesë disa institucione të arsimit të lartë nga Kosova. Gjatë ditës së fundit të seminarit, përfaqësuesit e institucioneve po marrin pjesë në sesione informuese, punëtori praktike dhe takime të dedikuara për rrjetëzim, duke krijuar hapësira të reja për bashkëpunime të ardhshme.

Menaxhmenti i lartë i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar në përfaqësimin e denjë të institucionit në arenën ndërkombëtare dhe në krijimin e mundësive të reja që kontribuojnë në zhvillimin e studentëve, stafit akademik dhe partneriteteve strategjike ndërkombëtare.

Fotot e lajmit

tp-bottom