UFAGJ në bashkëpunim me projektin SHER, realizojnë për herë të parë në Kosovë integrimin e domenit universitar në rrjetin KREN
Më 4 nëntor 2025, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka shënuar një arritje të rëndësishme për arsimin e lartë në Kosovë, duke u bërë institucioni i parë në vend që ka integruar domenin e tij zyrtar @uni-gjk.org në shërbimet dhe licencat e rrjetit KREN (Kosovo Research and Education Network). Ky proces, i cili më herët shihej si teknikisht i pamundur, është realizuar pas një pune intensive 6 mujore nga Zyra e IT-së në UFAGJ, në bashkëpunim me ekipin e KREN-it dhe me mbështetjen e projektit SHER, që ofroi ekspertizën e nevojshme për këtë integrim.
Në të njëjtën ditë u mbajt në ambientet e universitetit një trajnim gjithëditor i udhëhequr nga eksperti i projektit SHER, z. Albert Aliu, ku u prezantuan mënyrat praktike të përdorimit të shërbimeve të rrjetit KREN dhe avantazhet që ato sjellin për universitetet. Falë këtij integrimi, stafi dhe studentët e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë tani mund të shfrytëzojnë licencat e Microsoft-it dhe të gjitha shërbimet e rrjetit KREN pa pasur nevojë për adresa të reja elektronike apo migrim në platformën Microsoft.
Kjo zgjidhje praktike mundëson përdorimin e plotë të shërbimeve të KREN-it duke ruajtur domenin ekzistues të Google-it (@uni-gjk.org) dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt shfrytëzimit të potecialit të madh digjital në fushën akademike, hulumtuese dhe administrative në universitet.
Rektori i Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, theksoi se menjëherë pas marrjes së mandatit kishte identifikuar mungesën e shfrytëzimit të resurseve të KREN-it për shkak të mospërputhshmërisë ndërmjet platformës Google dhe sistemit Microsoft.
Pas vizitave në zyrat e KREN-it në ITP Prizren dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me përfaqësuesit e projektit SHER, u arrit një zgjidhje teknike që mundësoi këtë integrim të suksesshëm.
“Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Zyrës së IT-së së universitetit, ekipit të KREN-it dhe ekspertëve të projektit SHER, u arrit një integrim i plotë pa pasur nevojë që universiteti të kalojë në platformën Microsoft. Kjo arritje dëshmon fuqinë e vizionit dhe bashkëpunimit drejt shfrytëzimit më të madh të potencialit digjital në arsimin e lartë në Kosovë,” – ka deklaruar Rektori Bunjaku.
Në vazhdim, Rektori Bunjaku shprehu mirënjohje për udhëheqësin e projektit SHER, z. Aqim Emurli, përfaqësuesin z. Nehat Dervishi dhe ekspertin z. Albert Aliu, për mbështetjen dhe kontributin e tyre gjatë gjithë procesit, si dhe Zyrës së IT-së në UFAGJ, z. Arbër Krypa dhe z. Amir Sahatqija, për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar. Ai gjithashtu falënderoi udhëheqësin e KREN-it, z. Atif Basani, për bashkëpunimin konstruktiv në këtë arritje të përbashkët.
Nga ana e tij, z. Nehat Dervishi nga projekti SHER theksoi se “me kënaqësi kemi mbështetur Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë në këtë proces dhe jemi të lumtur që bashkëpunimi ynë ka sjellë rezultate konkrete. Projekti SHER do të vazhdojë të përkrahë nismat që ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve digjitale të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.”
Menaxhmenti i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar dhe njëherit e konsideron këtë arritje si pjesë të strategjisë së vazhdueshme për transformimin digjital të institucionit dhe përmirësimin e shërbimeve në funksion të studentëve, stafit dhe komunitetit akademik.