Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë hapi vitin e ri akademik 2025–2026

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë hapi vitin e ri akademik 2025–2026

01.10.2025, Gjakovë.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) organizoi sot ceremoninë solemne të hapjes së vitit të ri akademik 2025–2026, duke mirëpritur studentët e rinj të vitit të parë dhe duke uruar gjithë studentët për një vit të mbarë akademik.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, theksoi rëndësinë e kësaj dite për studentët dhe për gjithë komunitetin akademik. “Të qenurit pjesë e universitetit tonë nuk është vetëm një arritje individuale, por edhe një përgjegjësi. Ju tashmë jeni pjesë e një tradite akademike që rritet çdo vit, duke përgatitur kuadro që kontribuojnë jo vetëm në zhvillimin personal, por edhe në atë të vendit tonë,” – u shpreh Rektori.

Ai rikujtoi figurën e akademikut Prof. Fehmi Agani, në nder të të cilit mban emrin universiteti, si një orientim moral e profesional për brezat e rinj që e shohin dijen dhe guximin si themele të lirisë dhe zhvillimit.

Në vijim, Rektori prezantoi udhëheqësit e njësive akademike: Fakultetin e Mjekësisë (Prof. Dr. Haxhi Kamberi), Fakultetin e Filologjisë (Prof. Dr. Labinot Berisha), Fakultetin e Shkencave Shoqërore (Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi), Fakultetin e Edukimit (Prof. Dr. Ilmi Hoxha) dhe Fakultetin e Shkencave të Aplikuara, si njësia më e re e universitetit, që ofron programe në fushën e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike.

Rektori Bunjaku nënvizoi se Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë është renditur i treti në Kosovë sipas rangimit ndërkombëtar të Webometrics. “Ky është një tregues i qartë i përparimit tonë institucional dhe rezultat i përkushtimit të përbashkët të stafit, studentëve dhe menaxhmentit,” – u shpreh ai.

Në mesazhin e tij, ai theksoi gjithashtu se studentët e UFAGJ-së janë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të bashkëpunimit akademik dhe kanë mundësi të shumta mobiliteti përmes programeve si Erasmus+ dhe marrëveshjeve bilaterale me universitete evropiane.

“Studimet kërkojnë përkushtim, këmbëngulje dhe pasion. Vendi ynë ka nevojë për profesionalizmin, kreativitetin dhe idetë tuaja. Shfrytëzoni çdo mundësi që universiteti ofron, sepse vitet e studimeve janë periudha më e vlefshme për ndërtimin e së ardhmes suaj,” – ishte mesazhi përmbyllës i Rektorit.

Më pas, fjala iu dha Kryetarit të Parlamentit Studentor, Besmir Pepshi, i cili përshëndeti studentët dhe u uroi mirëseardhje në familjen universitare. Ai shprehu gatishmërinë e Parlamentit Studentor për të mbështetur të gjithë studentët e rinj gjatë këtij rrugëtimi akademik, duke i inkurajuar që të jenë aktivë dhe të shfrytëzojnë sa më mirë mundësitë që u ofron universiteti.

Ceremonia u shoqërua me një atmosferë festive, ku studentët patën mundësi të njoftohen nga afër me njëri-tjetrin edhe të bashkëbisedojnë me stafin.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë u uron të gjithë studentëve një vit të suksesshëm akademik, të mbushur me arritje dhe përvoja të reja.

Fotot e lajmit

tp-bottom