
Ceremonia e funksionalizimit të Fakultetit të Shkencave Aplikative me rastin e akreditimit të programit “Informatika Inxhinierike (BSc.)” në UFAGj
Më 3 shtator 2025, në hapësirat e Rektoratit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, u mbajt ceremonia solemne me rastin e funksionalizimit të Fakultetit të Shkencave Aplikative dhe akreditimit të programit të ri të studimeve “Informatika Inxhinierike (BSc., 180 ECTS)”.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Ish-Kryetari i grupit parlamentar për Arsim, Prof. Ass. Dr. Ardian Gola, anëtarët e Këshillit Drejtues të UFAGJ-së, dekanë, stafi akademik dhe administrativ, si dhe përfaqësues të kompanive të sektorit të teknologjisë që janë pjesë e Bordit Këshilldhënës të Fakultetit të Shkencave Aplikative. Të pranishëm ishin gjithashtu profesorë dhe kolegë nga Universiteti i Prishtinës, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në procesin e akreditimit. Ngjarja u pasurua edhe me praninë e studentëve të Universitetit “Fehmi Agani”, të cilët janë përfituesit kryesorë të këtij programi të ri.
Në fjalën e tij të rastit, Rektori i Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, potencoi që dy elemente që e karakterizonin Gjakovën dikur, ishin Inxhinieria dhe Industria, mirëpo që fatkeqësisht prej pasluftës këto elemente u zbehën. Rikthimi i një profili inxhinierik që ndërlidhet me shkencat kompjuterike në Komunën e Gjakovës ka qenë njëra prej qëllimeve kryesore të ardhjes së tij nga Universiteti i Prishtinë për të kontribuar si Rektor në UFAGJ.
Rektori Bunjaku, potencoi se programi i ri është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: cilësinë akademike, bashkëpunimin me industrinë dhe ndikimin në zhvillimin rajonal. Përmes tij, studentët do të pajisen me njohuri dhe shkathtësi në fusha të rëndësishme si programimi, rrjetet kompjuterike, siguria kibernetike, sistemet e integruara elektronike, Interneti i Gjërave (IoT) dhe teknologjitë e mençura, duke krijuar kuadro konkurruese në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar duke ofruar shërbime outsourcing.
Rektori Bunjaku shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces, duke përfshirë bartësit e programit, prorektorët dhe ish-prorektorët, MASHTI-n, Këshillin Drejtues, Senatin, profesorët nga UP, Bordin Këshilldhënës industrial të FSHA, BoneVet, AtiKos, stafin akademik e administrativ të UFAGJ-së, si dhe studentët. Ai veçoi mbështetjen e profesorëve nga Universiteti i Prishtinës, të cilët shprehën gatishmërinë për të ndihmuar edhe gjatë zhvillimit të procesit mësimor, derisa programi të konsolidohet me stafin e nevojshëm akademik.
Ky funksionalizim hap horizonte të reja për bashkëpunim ndërkombëtar, projekte hulumtuese dhe mobilitete akademike, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e Universitetit “Fehmi Agani” në një qendër të dijes dhe inovacionit.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, në fjalën e saj theksoi se akreditimi i programit “Informatika Inxhinierike” është dëshmi e punës dhe përkushtimit të Rektorit Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, menaxhmentit të lartë, stafit akademik dhe administrativ, si dhe të gjithë atyre që kontribuan në këtë proces. Ajo përgëzoi Rektorin Bunjaku për vizionin dhe angazhimin në hapjen e një njësie të re dhe akreditimin e një programi që ndërlidhet drejtpërdrejt me objektivat e strategjisë së arsimit të lartë, të cilat synojnë rritjen e qasjes në programe moderne, mbështetjen e transformimit digjital në çdo institucion të arsimit të lartë, krijimin e kushteve më të mira për kërkime shkencore dhe nxitjen e bashkëpunimit me industrinë. Ministrja vuri theks të veçantë në rëndësinë e partneritetit me kompanitë e sektorit të IT-së dhe siguroi mbështetjen e vazhdueshme të MASHTI-t që ky fakultet të konsolidohet, programi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta dhe së bashku të ndërtohet një të ardhme më e mirë, më e dijshme dhe më digjitale për Kosovën.
Kryesuesja e Këshillit Drejtues Znj. Majlinda Haxhikadrija Ramadani, pasi përshëndeti të pranishmit, ndër tjerash potencoi që për herë të parë në historinë e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë kemi arritur të funksionalizojmë Fakultetin e Shkencave Aplikative dhe akreditimi i programit Informatika Inxhinierike përbëjnë një hap historik për zhvillimin e Universitetit, Gjakovës dhe të rajonit të Dukagjinit.
Kryetari i Bordit këshilldhënës industrial të FSHA, z. Fatos Stavileci, potencoi që ne me shumë kënaqësi iu kemi përgjigjur kërkesë së Rektorit Bunjaku kur jemi ftuar që të bashkëpunojmë për akreditimin e një programi, duke njohur rëndësinë që ka ky program ka për shoqërinë tonë në përgjithësi.
Ceremonia u mbyll me mesazhin se kjo arritje është fryt i vizionit, përkushtimit dhe punës së përbashkët, si dhe një investim i çmuar për të ardhmen e rinisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.