DEMANTIM PUBLIK - Reagim i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë ndaj lajmit të pavërtetë të publikuar nga Gazeta Insajderi

DEMANTIM PUBLIK - Reagim i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë ndaj lajmit të pavërtetë të publikuar nga Gazeta Insajderi

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë reagon me indinjatë ndaj artikullit të publikuar nga Gazeta Insajderi, i cili përmban një sërë të pavërtetash dhe spekulimesh tendencioze me qëllim të dëmtojnë imazhin e Universitetit dhe të denigrojnë Rektorin, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku.

1. Rreth akreditimit të programeve studimore

Deklarimi se “vetëm një program i studimit është akredituar” është një lajm i rremë. Aktualisht, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka të akredituara 7 programe studimore, ndërsa 2 programe të tjera janë në fazën e rishikimit (Programi Informatikë Inxhinierike dhe Programi Edukim Fillor) sipas procedurave standarde të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Këto të dhëna janë publike dhe lehtësisht të verifikueshme në faqen zyrtare të AKA-së.

Gjatë mandatit të rektorit Bunjaku, UFAGJ ka marrur akreditim institucional për 3 vite, e cila është përgjegjësi e drejtpërdrejt e Menaxhmentit të lartë të UFAGJ. Ndërsa, akreditimi i programeve të studimit është përgjegjësi e Dekanateve dhe stafit të Njësive Akademike, në veçanti e kualifikimeve përkatëse të tyre.

Është e rëndësishme të rikujtohet se në vitin 2022, në kohën e shkarkimit të ish-rektorit Artan Nimani, Universiteti kishte vetëm 9 programe të akredituara në total. Pra, pretendimi për “rënien drastike të akreditimeve” është i pavërtetë dhe qëllimshëm i sajuar për të krijuar perceptim të gabuar publik.

Vlen të potencohet që AKA tani ka një manual të ri të akreditimit (me standarde të reja) i cili nuk lejon akreditimin e programeve Infermieri dhe programin Fizioterapi me bartës që cilët kanë gradën Master si në kohën e ish-rektort Nimani. Universiteti është në proces të thellë reformash për të rritur cilësinë akademike dhe për të përmbushur standardet bashkëkohore të arsimit të lartë.

 

2. Lidhur me dorëheqjet individuale në menaxhment

Dorëheqjet e anëtarëve të menaxhmentit janë vendime personale, të cilat janë trajtuar me profesionalizëm dhe korrektësi institucionale. Pretendimet që potencohen në lajmin tendencioz janë plotësisht të pavërteta!! Asnjë nga dorëheqjet nuk është shoqëruar me deklarata publike që mbështesin pretendimet që paraqet artikulli. Përdorimi i “burimeve anonime” për të ndërtuar narrativa të tilla është i papranueshëm dhe bie ndesh me standardet bazë të gazetarisë së përgjegjshme.

Për hirë të opinionit publik ish-Prorektori Arben Boshnjaku ka dhënë dorëheqje për arsye personale sepse disa herë ka potencuar në takime që ka ambicie të merret me hulumtimet shkencore dhe se pozita menaxheriale po i merr shumë kohë.

Prorektorja Dafinë Kaçuri ka bërë kërkesë për dorëheqje mirëpo ende dorëheqja nuk është zyrtarizuar. Arsyet në kërkesën për dorëheqje janë për qëllime të tjera personale e që kryesisht kanë të bëjnë rreth mospajtimit lidhur me heqjen e pikës së konkursit për avancimin e stafit akademik, pikë kjo e cila është menduar të diskutohet në mbledhjen e radhës së KD. Mbledhje kjo  ku do të merret një qëndrim i përgjithshëm lidhur me konkursin gjithëpërfshirës. Pjesë e këtij konkursi për avancim do të ishin edhe rastet e atyre të cilët nuk kanë mbulueshmëri të orëve për vitet vijuese dhe nuk janë bartës të programeve. Ky qëndrim nuk ka të bëj vetëm me Prof. Kaçuri mirëpo ka të bëj me të gjithë stafin akademik që janë në situatë të njejtë.

 

3. Përzgjedhjet e stafit dhe spekulimet për lidhje politike

Të gjitha procedurat e konkurseve dhe përzgjedhjes së stafit akademik në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente, me komisione të pavarura. Aludimet për ndikime politike në emërimet apo përzgjedhjet janë spekulative, të pabazuara në fakte dhe kanë vetëm një qëllim: denigrimin e figurave që po tentojnë të punojnë drejtë dhe punës së mirë që është duke u bërë në institucion.

Emërimi i Prof. Ass. Dr. Kaltrina Kusarit si prorektore është bërë mbi bazën e përvojës së saj akademike profesionale, publikimeve të shumta shkencore dhe përvojës së mëparshme në jetën akademike dhe për zgjedhjen e saj për të qenë pjesë e stafit të rregullt akademik në pozitën e Prof. Ass. Dr., është propozuar nga Njësia Akademike dhe është miratuar vendimi nga Senati i Universitetit (të gjitha mbledhjet e Senatit janë publike dhe të qasshme në kanalin zyrtar të UFAGJ në youtube).

Marrja e pushimit pa pagesë është një e drejtë e garantuar me ligj dhe nuk lidhet me asnjë “krizë të supozuar”. Prorektorja Kusari ka marr pushim pa pagesë gjatë muajit Qershor (1 muaj) sepse ka shkuar për të finalizuar studimet e post-Doktoraturës në Kanadë. Praktikë kjo e përdorur edhe më herët nga Universiteti çdo herë për të mirën e stafit akademik.

Lidhur me Kryesuesen e Këshillit Drejtues Znj. Majlinda Haxhikadija Ramadani është pjesë e KD-së që nga viti 2022, e emëruar nga MASHTI në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me zhvillimin e saj akademik dhe profesional. Për shkak të performimit të mirë ajo është rizgjedhur për herë të dytë Kryesuese e Këshilli Drejtues përmes një procesi transparent.  

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë shpreh shqetësimin për përhapjen e informacioneve të pasakta dhe kërkon nga Gazeta Insajderi që të tërheqë publikisht lajmin në fjalë dhe të kërkojë falje për dëmet e shkaktuara ndaj imazhit të institucionit dhe drejtuesve të tij.

Sulmet e tilla mediatike pa bazë, vijnë mu në fazën e konkursit për pranimin e studentëve të rinjë dhe kjo ka për qëllim dëmtimin e institucionit dhe reputacionit të tij.

Nëse këto dezinformata vazhdojnë, universiteti do të jetë i detyruar të ndërmarrë masa ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe të integritetit të tij institucional.

Universiteti mbetet i përkushtuar ndaj transparencës, cilësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm akademik, duke i shërbyer me përkushtim studentëve, stafit dhe komunitetit të gjerë.

 

 

tp-bottom