
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin Teknik Tafila nga Jordani
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me Universitetin Teknik Tafila (Tafila Technical University - TTU) nga Jordania, me qëllim të krijimit të një kornize bashkëpunimi afatgjatë në fusha të ndryshme akademike dhe kulturore. Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Gjakovë, duke shënuar një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e ndërkombëtarizimit të këtij institucioni.
Ky memorandum përcakton një sërë fushash të bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, përfshirë shkëmbimin e studentëve dhe stafit për qëllime studimore, mësimdhënie dhe kërkime shkencore, organizimin e konferencave, seminareve dhe punëtorive të përbashkëta, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta hulumtuese në fusha si arsimi, gjuhët, shkencat sociale dhe teknologjia informative.
Po ashtu, MoU-ja parasheh zhvillimin e programeve të përbashkëta të studimeve në nivelin bachelor dhe master, përmes hartimit të kurrikulave të përbashkëta dhe ofrimit të mësimit të koordinuar. Një tjetër komponent i rëndësishëm është promovimi i gjuhës shqipe dhe arabe përmes kurseve të përbashkëta dhe shkëmbimeve kulturore, me synim të thellimit të mirëkuptimit ndërkulturor.
Për zbatimin e marrëveshjes, palët do të caktojnë koordinatorë institucionalë dhe do të themelojnë një grup të përbashkët pune që do të mbikëqyr realizimin dhe vlerësimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Memorandumi është nënshkruar nga Rektori i Universitetit Teknik Tafila, Prof. Dr. Bassam Almahasneh dhe Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, të cilët theksuan rëndësinë e këtij partneriteti për fuqizimin ndër institucional në fushën e arsimit dhe punës shkencore. Rektori Bunjaku potencoi që një partneritet me një Universitet prestigjioz siç është Universiteti Teknik i Tafilias nga Jordani (Tafilia Technical University) hap dyrët e bashkëpunimeve të reja në të gjitha fushat, mirëpo në veçanti në fushën e Shkencave Aplikative.