
Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike në Kosovë, mbajti takimin e radhës në Gjilan
Më 25 prill 2025, Konferenca e Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës mbajti takimin e radhës në hapësirat e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan. Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë u përfaqësua nga rektori, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku. Gjatë takimit, rektorët miratuan Rregulloren e re të punës së Konferencës, duke përcaktuar strukturën organizative, kompetencat, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e këtij mekanizmi të rëndësishëm bashkëpunues. Po ashtu, u zgjodhën dhe miratuan elementet zyrtare të identitetit të Konferencës, përfshirë logon, stemën dhe vulën.
Një tjetër arritje e rëndësishme ishte miratimi i Marrëveshjes së parë shumëpalëshe për bashkëpunim ndërmjet tetë institucioneve publike të arsimit të lartë. Marrëveshja synon të thellojë bashkëpunimin akademik, shkencor dhe kulturor.
Menaxhmenti i Universitetit "Fehmi Agani" në Gjakovë mbetet i përkushtuar për të qenë pjesë aktive në nisma që synojnë zhvillimin dhe avancimin e arsimit të lartë në vend, duke kontribuar në cilësi, shkencë dhe inovacion akademik.