Delegacioni Gjerman viziton Universitetin "Fehmi Agani" në Gjakovë për mundësi bashkëpunimi dhe investimesh
21.03.2025, Gjakovë
Një delegacion i biznesmenëve dhe inovatorëve nga Gjermania kanë vizituar Universitetin "Fehmi Agani" në Gjakovë, ku u diskutuan mundësitë e shumta të bashkëpunimit dhe investimeve në këtë rajon. Delegacioni u prit nga Rektori Bunjaku, së bashku me Prorektoren Kusari, Prof. Vala-Këndusi, Sekretarën e përgjithshme znj. Sina-Pruthi dhe anëtarë nga radhët e personelit dhe studentët e universitetit.
Gjatë takimit, Rektori Bunjaku iu uroi mirëseardhje mysafirëve dhe i informoi ata për strukturën akademike të universitetit, fakultetet dhe programet studimore. Ai shprehu gatishmërinë e institucionit për të mbështetur çdo iniciativë që sjell zhvillim ekonomik dhe inovacion në rajon. Po ashtu, i ftoi biznesmenët Gjermanë të i fokusojnë investimet e tyre në Gjakovë, duke e cilësuar këtë qytet si një mundësi të shkëlqyer për shkak të pozicionit gjeografik dhe potencialit të fuqisë së lirë punëtore të kualifikuar.
Një falënderim të veçantë, Rektori Bunjaku e adresoi për z. Blerim Dervari, një afarist dhe biznesmen i suksesshëm, i cili ishte urë lidhëse e kësaj iniciative të rëndësishme. Kontributi i tij u vlerësua si një hap i madh drejt fuqizimit të lidhjeve ndërmjet akademisë dhe sektorit privat, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe komunitetin lokal.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimeve strategjike ndërkombëtare dhe përforcimit të rolit të Universitetit "Fehmi Agani" si një qendër e dijes dhe inovacionit.