Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me programin SHER
Më 19 dhjetor 2024, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë hapi një kapitull të ri bashkëpunimi me projektin Sustainable Higher Education and Research in Kosovo (SHER), një nismë e financuar nga Austrian Development Cooperation dhe e mbështetur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës. Ky projekt synon fuqizimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë përmes teknologjive inovative, metodologjive moderne dhe lidershipit të avancuar.
Ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjes u zhvillua në ambientet e rektoratit, të pranishëm ishin përfaqësues të projektit SHER, prorektorë, dekanë, profesorë, studentë dhe anëtarë të komunitetit akademik e administrativ.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Universitetit “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku dhe udhëheqësi i projektit, Z. Aqim Emurli, duke vulosur një partneritet që premton të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për universitetin dhe më gjerë.
Në fjalën e tij, rektori Bunjaku vuri në dukje rëndësinë e kësaj marrëveshjeje si një mundësi unike për të ngritur standardet akademike dhe për të forcuar kapacitetet e universitetit:
“Ky projekt ka për qëllim të forcojë kapacitetet hulumtuese, të përmirësojë qeverisjen dhe qëndrueshmërinë institucionale, të zhvillojë një plan strategjik për sigurinë dhe zhvillimin e Universitetit, si dhe të rrisë cilësinë akademike për të përmbushur kërkesat e tregut të punës. Ndër objektivat kyçe të programit SHER është rritja e qeverisjes në institucionet e arsimit të lartë.”
Ndërkaq, drejtuesi i programit SHER, Z. Emurli, theksoi përkushtimin e projektit për të krijuar një sistem arsimor të qëndrueshëm, duke shtuar: “Bashkëpunimi me Universitetin ‘Fehmi Agani’ është dëshmi e një vizioni të përbashkët për arsim cilësor dhe kërkim shkencor të orientuar drejt zgjidhjes së sfidave të kohës.”
Universiteti “Fehmi Agani” do të përfitojë fonde të rëndësishme nga programi SHER, të cilat do të mbështesin përpjekjet tona për avancimin e institucionit në disa aspekte kyçe. Ne fazën e parë do të aplikohet për mbështetje për:
Rishikimin dhe përmirësimin e statutit të universitetit, për të siguruar një bazë më të fortë ligjore dhe administrativë.
Hartimin e planit të ri strategjik të Universitetit, si dhe zhvillimin e dokumenteve strategjike të tjera për të orientuar zhvillimin e mëtejshëm të institucionit.
Trajnimin dhe zhvillimin e lidershipit, si dhe ngritjen e kapaciteteve për stafin tonë, siç është theksuar në strategjitë bazë të programit SHER si dhe dixhitalizimin e proceseve universitare.
Kjo mbështetje është një mundësi e jashtëzakonshme për të fuqizuar hulumtimin dhe inovacionin në Kosovë dhe për të kontribuar në përparimin ekonomik dhe social të vendit.
Ceremonia përfundoi me diskutime të hapura mes pjesëmarrësve, të cilët ndanë idetë dhe pritshmëritë e tyre për zbatimin e projektit. Rektori dhe përfaqësuesit e SHER theksuan se ky bashkëpunim është një dëshmi e përkushtimit të përbashkët për të ngritur cilësinë dhe ndikimin e arsimit të lartë në Kosovë.
Me këtë marrëveshje, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë riafirmon vizionin e tij për të qenë një qendër ekselence akademike dhe një forcë për ndryshim pozitiv në shoqëri.