Rektori Bunjaku priti në vizitë përfaqësuesit e projektit "Arsimi i Lartë dhe Hulumtimi i Qëndrueshëm në Kosovë" - SHER

Rektori Bunjaku priti në vizitë përfaqësuesit e projektit "Arsimi i Lartë dhe Hulumtimi i Qëndrueshëm në Kosovë" - SHER

Përfaqësuesit e projektit “Arsim i Lartë dhe Hulumtim i Qëndrueshëm në Kosovë - SHER”, z. Aqim Ermuli dhe z. Nehat Dervishi qëndruan për vizitë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë ku u pritën nga Rektori i Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku i shoqëruar edhe nga Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje për Studentë, Prof. Ass. Dr. Dafinë Kaçuri, Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi, dhe Prorektori për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku.

Vizita kishte për qëllim prezantimin e projektit SHER, si dhe forcimin e bashkëpunimit me Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë. Rektori Bunjaku adresoi disa kërkesa të rëndësishme për nevojat aktuale të universitetit, duke përfshirë ndryshimin e Statutit, planit strategjik të Universitetit, harmonizimin e dokumenteve përcjellëse që ndërlidhen me përmirësimin e strukturës akademike, forcimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, zgjerimin e kapaciteteve për kërkime shkencore dhe të tjera pika që lidhen me rritjen e cilësisë dhe avancimin e UFAGJ-së.

Nga SHER thanë se qëllimet kryesore të këtij projekti janë krijimi i një baze të qëndrueshme për kërkime shkencore dhe zhvillimi i kapaciteteve hulumtuese në përputhje me prioritetet e universitetit, financimi i IAL-ve bazuar në performancë, etj.

Diskutimet e sotme pritet që shumë shpejt të konkretizohen me marrëveshje që do të kontribuojnë në të ardhmen e Universitetit. Programi SHER është projekt i lansuar nga MASHTI në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA).

 

Fotot e lajmit

tp-bottom