Fillon viti i ri akademik në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë
Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, ka nisur zyrtarisht viti i ri akademik 2024/2025. Rektori i Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku së bashku me Prorektoren për Mësimdhënie dhe Çështje për Studentë, Prof. Ass. Dr. Dafinë Kaçuri dhe Prorektorin për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku kanë vizituar të gjitha fakultetet ku u pritën nga dekanët e tyre.
Rektori Bunjaku në fjalën e tij u uroi mirëseardhje studentëve e veçanërisht atyre që këtë vit kanë filluar studimet në vitin e parë. Ai tha se Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar në mbështetjen e studentëve dhe në zhvillimin e njohurive dhe të aftësive të tyre gjatë periudhës që ata do të ndjekin studimet nën ombrellën e këtij institucioni.
Po ashtu Rektori Bunjaku u ka uruar punë të mbarë në këtë vit të ri akademik gjithë stafit, duke kërkuar nga ta angazhim dhe përkushtim të mëtutjeshëm në punë me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të mira.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë uron që ky të jetë një vit i suksesshëm drejt realizimit të synimeve dhe ambicieve të studentëve që kanë zgjedhur UFAGJ-në për rrugëtimin e tyre akademik.